Nga mëngjesi i së dielës priten erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, komuna e Prishtinës apel qytetarëve për kujdes
Komuna e Prishtinës thotë se bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Në njoftim thuhet se shpejtësia e erës do të jetë e fortë në zona kodrinoro-malore, ndërsa mesatarisht e fortë në zona të ulëta.
Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)
Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.
Udhëzime dhe këshilla për qytetarët
Komuna e Prishtinës thekson tutje se pa krijuar panik, fton qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:
Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Tutje thuhet se drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
“Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


