Please enter at least 3 characters.

Nga kapakët në medalje – iniciativa e "LET Center" sjell medalje të riciklueshme në “Prishtina Trails”

Në Prishtinë, një nismë e veçantë që lidh edukimin me qëndrueshmërinë po merr vëmendje në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

Në qendër të kësaj qëndron kopshti "LET Center", ku fëmijët kanë mbledhur për një vit radhazi kapakë shishesh, të cilët më pas janë shndërruar në medalje unike për garën vrapimit “Prishtina Trails”.

Këto medalje të riciklueshme nuk janë thjesht shpërblime sportive, por simbol i një procesi që dëshmon fuqinë e veprimeve të vogla dhe edukimit të hershëm për mbrojtjen e mjedisit.

Përmes këtij procesi, kapakët e shisheve të mbledhur nga fëmijët e "LET Center" në Prishtinë janë shndërruar në medalje në "DYVO Lab", duke treguar konkretisht se si materialet e ricikluara mund të marrin jetë të re dhe të bëhen pjesë e një ngjarjeje sportive me mesazh të qartë për mbrojtjen e mjedisit.

Drejtoresha e kopshtit “LET Center”, Lida Hoxha, në një deklaratë për Telegrafin, ka theksuar rëndësinë e iniciativës që lidh edukimin mjedisor me aktivitete konkrete për fëmijët.

Ajo theksoi gjithashtu se përveç garës në vrapim, e cila nuk ka si qëllim kryesor shpalljen e një fituesi, ngjarja do të shoqërohet edhe me aktivitete të ndryshme argëtuese për pjesëmarrësit.

“Përveç garës në vrapim e cila nuk ka domosdoshmërisht si qëllim të nxjerrë një fitues do të ketë edhe aktivitete të shumta argëtuese që do të zhvillohen pas garës”.

Në këtë aktivitet janë të përfshira disa institucione dhe organizata që e bëjnë këtë nismë të veçantë dhe me ndikim të gjerë.

Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë kopshti “Let Center”, përpunimi kreativ nga “DYVO Lab”, si dhe organizimi i aktiviteteve sportive nga “PrishtinaTrails”, të cilët së bashku po e mbështesin realizimin e kësaj iniciative me fokus në edukim mjedisor dhe aktivitet fizik për fëmijët. /Telegrafi/