Please enter at least 3 characters.

Nga Hysi te titujt kampionë me Dritën e Feronikelin – Kastriot Rexha, mysafir në ‘Arena e Yjeve’

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuar ishte ish-sulmuesi i njohur kosovar Kastriot Rexha, i cili ndau me publikun rrugëtimin e tij të gjatë në futboll, sukseset me klubet ku ka luajtur dhe sfidat që ka hasur gjatë karrierës. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Gjatë bisedës, Rexha kujtoi fillimet e tij në futboll te Hysi, klub ku hodhi hapat e parë në nivel profesional dhe ku përjetoi edhe suksesin e madh të shpalljes kampion. Ai foli për atmosferën brenda skuadrës dhe faktorët që e bënë atë ekip një nga më të suksesshmit e kohës.

Ish-futbollisti kosovar u ndal edhe te aventura e tij në Shqipëri me Vllazninë e Shkodrës, duke treguar për procesin e përshtatjes në një kampionat të ri, ndeshjet më të rëndësishme dhe golat që i kanë mbetur më shumë në kujtesë. Ai shpjegoi gjithashtu se si kjo eksperiencë ndikoi në zhvillimin e tij si futbollist dhe si person.

Në pjesën tjetër të diskutimit, Rexha foli për periudhat e tij te Prishtina, Drita, Feronikeli dhe klubet e tjera ku ka lënë gjurmë.

Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua titujve kampionë të fituar me Dritën dhe Feronikelin, ku Rexha analizoi dallimet mes këtyre sukseseve dhe vështirësitë që kanë shoqëruar secilin rrugëtim drejt trofeut.

Në fund, Kastriot Rexha foli për krenarinë që ndjen kur sheh rrugëtimin e tij nga Hysi deri te Drenica, duke reflektuar mbi golat, trofetë dhe respektin e fituar ndër vite në futbollin kosovar.

Episodin e plotë me Kastriot Rexhën mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

- YouTubewww.youtube.com