Please enter at least 3 characters.

Nga e kaluara kriminale në Angli te roje plazhi në lokalin ‘Principote’ në Ksamil, 20-vjeçari u vra pas konfliktit për një vajzë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku një turist portugez rreth 20 vjeç humbi jetën pasi u godit me thikë.

Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të festuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15 dhe sipas të dhënave paraprake, pas një konflikti që dyshohet se nisi brenda lokalit ‘Principote’, 20-vjeçari është nxjerrë jashtë dhe është goditur me mjet prerës pranë portës së lokalit, në zonën e plazhit.

Sipas burimeve, Luis Miguel Varela Mendes ka marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor, plagë që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Trupi i tij u gjet më pas në shezlongët e plazhit, përpara lokalit.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, hetimet e policisë kanë zbuluar se Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security” bashkë me Sokrat Vatën tek lokali “Principote” dhe dyshohet se e ka ndihmuar atë që të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sokrat Vata u arrestua pas 5 orësh arrati në Fier, aty ku ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër, të dy shtetas turq.

29-vjeçari Sokrat Vata ka një të kaluar kriminale në Angli, ku rezulton i dënuar për vepra që lidhen me posedimin e kokainës, armëve dhe drejtimin e automjeteve nën efektin e drogës.

Në 30 prill, policia në Kembrixh e pikasën duke drejtuar një makinë tip Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, por pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, hodhi një pako kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Me vete iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Ndërkohë, në një rast tjetër në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.

Vata u arrestua më pas dhe përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg. /Tch/