Please enter at least 3 characters.

Neuer analizon ndeshjen Bayern Munich-Real Madrid dhe refuzon krahasimet historike mes portierëve

Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, ka refuzuar të japë një emër për portierin më të mirë në histori, duke theksuar se çdo epokë ka pasur protagonistët e saj në këtë rol.

Neuer, një nga figurat më ikonike të portierëve të shekullit XXI, u përmend sërish në debatet e fundit së bashku me Thibaut Courtois të Real Madridit.

Duke folur për sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, gjermani theksoi rëndësinë e përqendrimit dhe respektit ndaj kundërshtarit.

“Jo. Ne e dimë historinë e tyre në këtë kompeticion, por kur je profesionist, jeton në moment. Tani po luajmë kundër këtij Real Madridi një skuadër që, nëse ka një ditë të mirë, mund të mposhtë këdo. Por edhe ne mundemi. Në fakt, i kemi mposhtur në ‘Santiago Bernabeu’. Është një avantazh të luash në ‘Allianz Arena’”, u shpreh Neuer për Diario AS.

Duke folur për ndeshjen e kthimit, ai theksoi se avantazhi i skuadrës së tij është minimal dhe se përballja mbetet e hapur.

“Avantazhi i vetëm është se kemi një gol epërsi, por është Real Madridi, një sfidë shumë e vështirë. Jemi me fat që luajmë ndeshjen e dytë në shtëpi dhe mbështetemi te tifozët. Jemi shumë të motivuar dhe të gatshëm. Është një situatë e mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kemi parë në të kaluarën se si Real Madridi di të fitojë”, shtoi ai.

I pyetur për debatin mbi portierin më të mirë të të gjitha kohërave, Neuer u tregua i rezervuar, duke përmendur disa prej emrave më të mëdhenj në histori.

“Është e vështirë, varet nga epoka. Në vitet e fundit… nuk mjafton të thuash dy apo tre, ka shumë dhe secili ka stilin e tij. Për Real Madridin, aktualisht, është e vështirë të mos përmendet Courtois. Por nëse shohim të kaluarën, Schmeichel, Kahn, Buffon, Casillas… të gjithë janë shumë të mirë. Nuk shoh një si më të mirin e të gjitha kohërave, sepse varet nga epoka”, deklaroi Neuer.

Ndërkohë, trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, kishte deklaruar më herët gjatë sezonit se, sipas tij, Courtois është portieri më i mirë që ka parë ndonjëherë në “Santiago Bernabeu”, duke theksuar vlerësimin e lartë që belgut i bëhet aktualisht në Spanjë. /Telegrafi/