Nesër promovohet libri “Kur yjet zbresin në dhomë” nga Mjedra Bajraktari-Deva dhe Anila Sulstarova
Më 16 qershor, në orën 18:00, në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka” (Residenca Dukagjini) në Prishtinë, do të promovohet libri “Kur yjet zbresin në dhomë”, i autoreve Mjedra Bajraktari-Deva dhe Anila Sulstarova.
Ky libër sjell tri tregime të veçanta për fëmijë që përballen me sëmundje të rënda, duke trajtuar me ndjeshmëri temat e frikës, të sfidave dhe të shpresës. Përmes personazheve dhe përvojave të tyre, lexuesit e vegjël ftohen të zbulojnë forcën e brendshme, rëndësinë e dashurisë dhe fuqinë e imagjinatës për të përballuar momentet më të vështira të jetës.
Të tria tregimet shoqërohen me ilustrime origjinale, të cilat e pasurojnë përvojën e leximit dhe e bëjnë librin më të afërt për fëmijët.
Autorja Mjedra Bajraktari-Deva është psikologe klinike e licencuar dhe kandidate e doktoratës në Universitetin e Lubljanës. Ajo drejton dhe menaxhon projekte për mbështetjen e fëmijëve me leukemi dhe familjeve të tyre në organizatën Cure2 Children. E certifikuar në psikoonkologji në Kanada, Mjedra ka ndjekur trajnime dhe konferenca profesionale në disa vende të botës, duke e ndërtuar veprimtarinë e saj në ndërthurjen e praktikës klinike, të kërkimit shkencor dhe të iniciativave kreative në shërbim të shëndetit mendor të fëmijëve.
Anila Sulstarova është psikologe klinike, psikoterapiste dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës. Me një përvojë të gjatë pune me fëmijë, adoleshentë dhe familje, ajo është e angazhuar në studimin e zhvillimit të fëmijës dhe të proceseve të përballimit të vështirësive jetësore. Veprimtaria e saj profesionale ndërthur kërkimin shkencor, mësimdhënien dhe praktikën klinike.
Promovimi do të bashkojë lexues, profesionistë të fushës së psikologjisë, prindër dhe të gjithë të interesuarit për letërsinë për fëmijë dhe temat që lidhen me mirëqenien emocionale të tyre.
Të gjithë dashamirët e librit janë të ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet. Ju mirëpresim!


