Please enter at least 3 characters.

Në Pejë mbahet takimi i Mekanizmit Koordinues Lokal për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në bazë gjinore

Në Komunën e Pejës është mbajtur takimi i radhës i Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Bazë Gjinore, me pjesëmarrjen e anëtarëve përkatës institucionalë.

Takimi është zhvilluar në sallën e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe është udhëhequr nga Zyrtarja për Barazi Gjinore dhe njëherësh koordinatorja e mekanizmit, Samka Drançolli.

Gjatë këtij takimi është prezantuar raporti i punës, ku janë pasqyruar aktivitetet e realizuara në përputhje me planet e parapara, ndërsa anëtarët kanë raportuar për rastet dhe zhvillimet relevante në këtë fushë.

Në diskutime është theksuar rëndësia e koordinimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të dhunës, ndërsa përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Besarta Breznica, ka paraqitur nevojat dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.

Po ashtu, janë shqyrtuar aktivitetet e planifikuara dhe janë marrë vendime për hapat e mëtejmë në funksion të forcimit të mekanizmave mbrojtës.

Në përmbyllje të takimit është nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore.

Komuna e Pejës ka ritheksuar përkushtimin për forcimin e mekanizmave koordinues dhe adresimin e vazhdueshëm të kësaj çështjeje. /Telegrafi/