Please enter at least 3 characters.

Ne nuk jemi të sigurt

Kush ka lexuar romanin “Hakëllberi Fin” të Mark Tuejnit, nuk mund ta harrojë atë çunin kurreshtar, i cili kidnapohet nga dy burra, që shpresojnë të fitojnë pak para nga ky rrëmbim. Për t’i rënë shkurt, këta jo që fitojnë diçka, por gati çmenden nga pyetjet e panumërta të “viktimës”. Djaloshi pyet gjithë çka mund të pyetet nën këtë diell dhe larg më shumë nga çfarë mund të imagjinojë dikush.

Nipi im, një çun i ëmbël, që jeton në një vend perëndimor, për nga kurreshtja, i afrohet këtij personazhi. Së voni, kur vizitat e tij në Kosovë janë shpeshtuar, pyetjet e tij janë shumë më të larmishme dhe më të shumta. Çfarë është më e tmerrshme, ai dëshiron siguri në përgjigjet e mia. Dhe kur pyetjet bëhën për historinë tonë (e shumica të tilla janë), siguria ime zhduket dhe nuk di çfarë t’i them. Dhe, a e dini pse? Sepse, si një lexues dhe hulumtues (amator) i historisë sonë, e kam vërejtur një gjë: ne nuk jemi të sigurt për shumicën e atyre që janë shtylla e historisë, kulturës dhe identitetit tonë shqiptar. Dhe këtu nuk flasim për ndonjë siguri absolute, por për një bindje që të japin studimet e mirëfillta shkencore.

Ne nuk jemi të sigurt se a e kemi prejardhjen prej pellazgëve apo jo. Ka disa studiues, të huaj kryesisht, që mbështesin atë çfarë kanë propaganduar rilindësit tanë. Mirëpo, dalin të tjerë, që i rrëzojnë këto pretendime si qesharake. Dhe në fund, por jo me më pak forcë, me lemeri që u shquhet në fytyra, dalin historianët tanë, që nguten të etiketojnë këto studime si blasfemitë më të mëdha. Dhe e bëjnë krejt këtë, pa bërë asnjë studim serioz, por vetëm me deklarata boshe, që s’kanë se si të japin fijen më të hollë të sigurisë për këtë çështje.

Ne nuk jemi të sigurt për mënyrën se si i kemi përqafuar fetë në këto troje. Shumë studiues të huaj kanë bërë punime të mëdha studimore për këtë çështje dhe kanë ardhur deri te konkluzat shkencore. Mirëpo, dalin “studiues” tanë (pa kryer asnjë hulumtim shkencor), që tentojnë (sic!) të rrëzojnë argumentet e librave voluminozë me shkrime publicistike e me deklarata folklorike (prapë sic!), që, shih çudinë, nuk u referohen epokave në fjalë, por politikave primitive ditore.

Ne nuk jemi të sigurt se a ka bërë Skënderbeu mirë, që ka rezistuar aq shumë dhe aq madhërishëm kundër perandorisë më të fortë të kohës, apo është dashur të marrë parasysh edhe gjëra të tjera “realpolitike”. Ka shumë autorë që nxjerrin në pah vetëm anën romantike të një qëndrese, pa shikuar në fotografinë e qartë të skënderbejadës. Ka disa të tjerë që e shikojnë dhe vlerësojnë shekullin XV me kritere të shekullit XX (“ai unifikoi shqiptarët”). Shkojnë deri aty sa që thonë se Skënderbeu paska bërë luftë të klasave, për të varfërit kundër të pasurve (sic!). Dhe dalin pastaj të tjerët (prapë, me sigurinë e marrur nga autorët e huaj), që thonë se pa e çmitizuar figurën e Skënderbeut, nuk ka si rishkruhet historia jonë. Nipi im i ka parë shtatoret e heroit në krejt kryeqendrat shqiptare dhe sigurisht se kërkon përgjigje.

Për të shkuar më tej, ne nuk jemi të sigurt për katër B-të e letërsisë së vjetër shqipe. Ka që i ngrisin në qiell (të shumtën, pa i lexuar fare) me lëvdata dhe epitete që këta autorë as që i kanë ëndërruar dhe me atribute që u takojnë shekujve të mëvonshëm. Të tjerët e minimizojnë ndikimin e tyre dhe pyesin pse nuk u jepet haku edhe klerikëve (se të tillë janë shumica e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë) të feve tjera. Dalin pastaj të fundit, që kanë studiuar ndikimin e keq që kanë pasur këta shkrimtarë në letërsinë dhe në historinë shqiptare. Çka t’i them unë nipit?!

Shumë afër kësaj: bejtexhinjtë e letërsisë sonë. Një letërsi e pasur (kryesisht) laike, që ka pasuar letërsinë (kryesisht) fetare të letërsisë së vjetër. E ngritur në piedestal nga shumë studiues dhe e sharë e njollosur me fjalët më të ndyra nga të tjerët, kjo letërsi, që tregon nivel të lartë të shoqërisë shqiptare të shekullit XVIII, ende (për mungesë studimi të mirëfilltë) nuk ofron siguri të mjaftueshme për ta interpretuar tek të tjerët. Prandaj, nuk e di se çfarë do t’ i them nipit tim, i cili që tani tregon ndjeshmëri të lartë për letërsinë.

Ne nuk jemi të sigurt për Lidhjen e Prizrenit. Një ngjarje madhështore, të cilën kombet tjera do ta kujtonin si themelin e lindjes së një kombi (se ka qenë mu ajo kohë kur kanë lindur kombet, në kuptimin që sot ne i njohim), ka aq shumë kundërthënie, aq shumë pasaktësi, aq shumë gënjeshtra në mesin e historianëve, studiuesve dhe sharlatanëve që pretendojnë të jenë si këta, sa që nuk mund ta përdorësh si referencë kurrfare. Disa thonë se ka qenë një lidhje shqiptare, disa të tjerë thonë se ka pasur edhe boshnjakë, ca të tjerë se ka qenë e organizuar nga Porta e Lartë, kurse të fundit, pa çka se nuk ofrojnë asnjë provë historike, se ka qenë kryekput kundër saj. Cilit t’i referohem, kur sytë kurreshtarë të nipit tim do të më shikojnë ngultas?

Kush është i sigurt tani për figurën kombëtare të Ismail Qemalit? Ai burri me mjekërr të bardhë, i ngulitur në mendjen tonë nga “Nëntori i Dytë” të Kinostudios “Shqipëria e Re” (meqë ra fjala - kjo e sigurt – ndër fabrikuesit më të mëdhenj të rrenave në historinë shqiptare), nga të shumtët kujtohet si një plak i urtë që dha shumë për “ta bërë” Shqipërinë. Dalin hulumtime pastaj, se ai ka pasur lidhje të ngushta me Greqinë dhe puna pështjellohet pak. Puna bëhët lëmsh kur dalin fakte të tjera se ky nuk i ka dalë në fjalë Hasan Prishtinës për Kosovën. Nëse i them nipit tim se ai është plaku i pavarësisë, nipi im mund të më pyes “cilës pavarësi?” Nëse i them, sikur edhe mendoj, se ai është në mesin e atyre që e kanë bërë Shqipërinë, dhe pas disa vitesh nipi im lexon ato shkrimet ku flitet për pazarllëqet e Ismail Qemalit në Triestë e gjetiu, ku do të mbetet besimi i nipit në xhaxhain e tij?!

Çfarë të thuash për Ahmet Zogun? Shumë nga ne ia kanë dhënë vulën e tradhtisë, sepse është kthyer në pushtet me ndihmën e serbëve dhe bjellogardistëve të Vrangelit. Të dytët ia veshin tradhtinë, sepse më 1939 iku në mënyrë burracake, pas sulmit të Italistë fashiste. Ca më të paktë ia atribuojnë krijimin e shtetit të parë funksional dhe pastaj, mbretërisë së parë shqiptare – thonë se Shqipëria e kësaj kohe ishte ndër shtetet më përparimtare në rajon. Vazhdojnë këta të fundit me të arriturat e Mbretit Zog, por unë nuk e di se çfarë t’i them nipit tim.

Neve nuk na është kthjelluar kontributi i klasës politike (komuniste) në Kosovë, pas luftës së dytë botërore, sidomos pas vitit 1968. Disa profesorë të thonë se ata ishin tradhtarë e disa të tjerë se ishin shpëtimtarë. Disa thonë se nuk janë pyetur asgjë e disa të tjerë të thonë se kanë qenë mjaft të fuqishëm në strukturat që kanë udhëhequr popujt e ish-Jugosllavisë. Si t’ia arsyetojë nipit tim zbrazëtirën 20-30 vjeçare në historinë e jetës sonë shoqërore, boshllëkun për të cilin ne kemi mendime më kontradiktore se sa për epokën e sundimit romak në Iliri.

Ne nuk jemi të sigurt për Ibrahim Rugovën. Një kolos i mendimit dhe veprimit, një titan i çështjes sonë, ka qenë tabelë qitjeje për dy dekada nga shumë shqiptarë, kryesisht me profesionin “patriot” dhe me nënprofilin “folklorik”. Tash, së voni, pas vjeljes së fryteve të atij stigmatizimi morbid, sharlatanët, që vetëm ne i respektojmë, kanë filluar ta çmojnë, por dokumentet, artikujt e librat e shkruar kundër liderit të urtë, kanë pasur përhapjen e librave hyjnorë te shqiptarët e kapërcyellit të shekujve XX dhe XXI. Ata libra kanë qenë bazë e formimit të një gjenerate të “revolucionit”, që qëllim kryesor ka pasur rrëzimin e figurës së liderit e pastaj synime të tjera që tani po i shohim më kthjelltë. Mirëpo, nipi im nuk i di të gjitha këto. Çështja është: kujt do t’i besojë ai?

Ne nuk jemi të sigurt se a duhet që ta rregullojmë jetën tonë me kanun, me sheriat apo me kushtetutë. Ka disa që e ngrisin në qiell kanunin, pa e lexuar në mënyrë kritike. Të tjerët thonë se duhet të rregullojmë jetën tonë me ligjin islamik, pa e llogaritur pjesën e vëllezërve tanë, që e kanë të huaj atë kod. Të tjerët që “besojnë” në ligjet moderne, nuk kanë dëgjuar ende për çështje si liria e individit, barazia gjinore, diversiteti, toleranca...

Ne nuk jemi të sigurt se a duhet të dalim të festojmë me një flamur (me cilin?) apo me dy flamuj. Kur festojmë pavarësinë apo kur na vinë mysafirët, ne nuk jemi të sigurt si duhet t’i stolisim rrugët tona. Ka prej nesh, që thonë se duhet ta vendosim edhe flamurin e Kosovës edhe atë kombëtar. Të dytët thonë se duhet të shfaqet vetëm flamuri i shtetit të Kosovës dhe dalin të tretët e thonë se duhet të shfaqet vetëm flamuri kombëtar. Shpresoj se derisa të fitojmë një siguri për këtë, nipi im nuk do të më vizitojë për ditën e pavarësisë!

Ne ende nuk jemi të sigurt se a kemi identitet lindor apo perëndimor. “Gjeografët” thonë se jemi në perëndim. Disa të tjerë thonë se nuk jemi “bash” në perëndim. Dalin ca të tjerë se thonë se kemi qenë në perëndim, kemi shkuar në lindje dhe tash duhet të kthehemi “kah perëndon”. Njëri “baba” i kombit thotë se kemi identitet perëndimor dhe për këtë duhet të kthehemi të gjithë në fenë dominante të perëndimit (duke e anashkaluar faktin kokëfortë se edhe ajo fe buron nga lindja). Del tjetri “baba” i kombit dhe thotë se ne nuk kemi identitet perëndimor, por lindor. Për të na bindur për këtë, ai e ofron qe dy dekada shembullin e vet personal: në mënyrë konsistente thërret për rrëzimin me dhunë (revolucion) të atyre që zgjedhen me vota të lira.

Për një shtyllë tjetër të identitetit – territorin e kombit, nuk guxoj as të mendoj. Shqiptarët e Shqipërisë kanë vënë pikën mbi i (neve na quajnë vetëm kosovarë) – territor i shqiptarëve, për ta, është ajo forma e arkivolit, dizajnuar në Konferencën e Londrës. Ne, të Kosovës, nuk jemi të sigurt se a duhet ta pranojmë këtë apo jo. Nipi im ka dëgjuar për mijëra e mijëra kilometra (tjera) katrorë ku frymojnë shqiptarët dhe unë ndihem i pafuqishëm të hyjë e t’i tregoj për krejt atë se ç’ka ndodhur me tokat tona. Sigurisht do të pyeste diçka si: “E pse, pra, dalim e ecim kryelartë dhe, me fodullëkun fals e të pështirë, rrahim gjoksin për heroizmin tonë?!”

Për ta ngulfatur krejtësisht sigurinë time, është kujdesur ajo që lirisht mund të quhet shtylla e identitetit tonë kombëtar – gjuha shqipe. Kur, pas një epoke dyshimi, dënimi me harresë, me mos-shkrim dhe injorim, kemi pasur një shekull paqeje për gjuhën, standardizimi i pranuar pjesërisht, ka kthyer pasigurinë për këtë palcë kurrizore të kombit tonë. Tash, kur po i shkruaj këta rreshta, nuk jam i sigurt se a po bëj mirë apo keq që po shkruaj në gjuhë standarde. Një kod që shumë nga ne e trajtojnë si të imponuar nga një klasë politike dhe intelektuale, për të cilën nuk e kemi pikën e sigurisë se ka punuar për identitet shqiptar.

Prandaj, pas gjithë këtyre dyshimeve e pasigurive (dhe qindra të tjera, që nuk i përmendëm), duken mjerane pretendimet se i kemi rënë vulë historisë kombëtare dhe çështjeve që janë thelbi i kulturës e identitetit. Një hulumtim i opinionit shqiptar, andej e këndej, për çështjet e ngritura më lart do të shkaktonte shumë rrënqethje. Shqiptarët, kudo që jetojnë, nuk e dinë më se në çfarë të besojnë. Elitat tona janë më të fjetura se kurrë. Me apatinë, e të njëjtën kohë, arrogancën e tyre, elitat tona akademike, intelektuale, kulturore, politike e shoqërore më shumë po e dendësojnë mjegullën rreth nesh.

Akademitë e shkencave, institutet kërkimore dhe elitat tona intelektuale, duhet ta davarisin tymin që ka zënë sytë tanë. Duke shfrytëzuar dritën që të jep dituria dhe mençuria, ata duhet ta ndihmojnë këtë komb të jetojë me vlerat që e fusin në gjirin e kombeve të qytetëruar e të përparuar. Mirëpo, tanimë as për këto elita nuk jam i bindur krejtësisht. Nuk e di a janë ajka e shoqërisë apo disa mjeranë, me ca tituj e grada, me të cilat, nga olimpi i tyre, na kërcënojnë sa herë që ne “të vegjlit” kërkojmë daljen nga errësira që ka mbuluar vlerat më të larta të jetës sonë.