Në Gjakovë përmbyllet fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore” me ekspozitë të artit të të mbijetuarave
Në Gjakovë është përmbyllur fushata globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore” me një ekspozitë arti të realizuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ekspozita u hap në Galerinë e Arteve dhe paraqiti vepra që, sipas organizatorëve, bartin “zërin, dhimbjen dhe guximin” e grave që kanë përjetuar dhunë.
Drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu, tha se çdo punim artistik është një formë e fuqishme e dëshmisë dhe rezistencës së këtyre grave, duke shërbyer si kujtesë dhe thirrje për ndërgjegjësim shoqëror.
Pas ekspozitës, Mekanizmi Komunal Kundër Dhunës në Bazë Gjinore mbajti takimin përmbyllës të fushatës. Udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Komunën e Gjakovës, Lumnije Shllaku, falënderoi anëtarët e mekanizmit për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë aktiviteteve të 16 ditëve.
Komuna e Gjakovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë nismat që synojnë parandalimin e dhunës dhe fuqizimin e viktimave. /Telegrafi/


