Please enter at least 3 characters.

Në betejën mes Elon Muskut dhe shtypit, nuk mund të lejojmë që e vërteta të jetë humbësja

Një ekran në Nju-Jork shfaq një imazh të Elon Muskut (12 qershor 2026)
Foto: John Angelillo/UPI/Shutterstock

Nga: Jane Martinson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Intervista e gjatë e Elon Muskut me kryeredaktoren e The Economist është po aq pasqyruese sa çdo shembull tjetër i përplasjes së tanishme mes dy botëve. Në njërin cep, kryeredaktorja e një organizate lajmesh 182-vjeçare, që promovon liberalizmin ekonomik dhe lirinë. Në cepin tjetër, trilioneri i parë në botë, i cili përhap keqinformim te qindra milionë ndjekësit e tij në platformën e vet të mediave sociale. Kjo përballje është leksion mbi sfidat me të cilat përballen gazetarët në një botë të re të inteligjencës artificiale, shmangies së fakteve dhe agresionit në internet.

Pikat e nxehta në bisedën e Zanny Minton Beddoesit me Muskun nisin me përkufizimet. Musku thotë se njerëzit të cilët Minton Beddoesi i quan "ekstremi i djathtë" dhe "margjinalë" (ajo ceku partinë gjermane AfD) janë, në të vërtetë, thjesht "njerëz normalë". Ata përplasen edhe për atë nëse shpejtësia me të cilën ai shkurtoi fondet e USAID-it çoi në vdekje të panevojshme në vendet në zhvillim - ajo beson se pretendimi i tij se kjo nuk ndodhi bie ndesh jo vetëm me statistikat, por edhe me dëshmitë e gazetarëve të saj në terren. Kur pyetet nëse është racist, ai përmend faktin se ka katër fëmijë me një grua që është "gjysmë indiane". Në një debat të sikletshëm, kur Minton Beddoesi e pyet nëse është kundër myslimanëve, Musku thotë se është kundër "njerëzve që vijnë në një vend me pikëpamje të kundërta... Jam kundër përdhunimit dhe vrasjes”.

Toni ndryshon kur Minton Beddoesi e akuzon Muskun për përhapje keqinformimi lidhur me Evropën dhe veçanërisht me qytetin e saj të lindjes, Londrën, duke i thënë se statistikat tregojnë se ai është një vend më i sigurt për të jetuar sesa shumica e qyteteve të mëdha amerikane. Ajo duket ashiqare e irrituar kur ai hedh poshtë çdo provë se krimi i dhunshëm është shumë më i ulët nga sa pretendon ai dhe se bandat e shfrytëzimit seksual të të miturve nuk po terrorizojnë rrugët. Pasi e pyet nëse kupton se pse kjo i bën njerëzit ta urrejnë, debati kthehet në një grindje fëmijësh. Musku thotë se me kaq shumë ndjekës në X, ai duhet të jetë popullor. Pos kësaj, "ata ju urrejnë ju shumë më tepër sesa më urrejnë mua". Ajo pranon se mediat e kanë humbur besimin e publikut.

Ky debat flet shumë jo vetëm për të dy pjesëmarrësit dhe për atë çfarë besojnë, por edhe për gjendjen e ekosistemit tonë të tanishëm mediatik. Për të përdorur metaforën e kësaj vere, nëse intervista do të ishte një kërkim homerik, kryeredaktorja do të përpiqej të kthehej në një vend të së vërtetës dhe sigurisë, ndërsa Musku do të ishte zoti i zemëruar i detit që lëshon stuhi të dhunshme dhe përbindësha pasi sfida dukej se kishte përfunduar.

Kjo dinamikë u pasqyrua edhe në reagim. Intervista duket se përfundon me të dy palët që bien dakord të mos bien dakord; ata madje vazhdojnë të bisedojnë ndërsa Musku fotografohet. Kur Minton Beddoesi e promovoi intervistën në X, Musku më pas e ripostoi, duke shtuar: "intervistë e çmendur [zany] me Zannyn". Asaj kjo i pëlqeu aq shumë, saqë e ripostoi ripostimin e tij. Pasi disa nga ndjekësit e tij publikuan komente fyese për mediat, edhe ai u përfshi duke folur për "pasqyrën shtrembëruese të realitetit që është shtypi tradicional". Deri në fundjavë, ai nisi ta quante atë "tradhtare të Perëndimit". Të enjten, ajo pranoi se ishte "e habitur", por jo e frikësuar nga reagimi "gjithnjë e më agresiv". Duke folur për emisionin Media Show në Radio 4, ajo tha se kishte mësuar të mos i lexonte komentet në internet. "Nëse vazhdon t'i shfletosh dhe lexon qindra gjëra që thonë sa e tmerrshme je, nuk është aspak e këndshme, prandaj mos e bëj".

Duket veçanërisht me vend të shihet se çfarë mësimesh mund të nxirren nga gjithë kjo, duke pasur parasysh se hetimi më i fundit i mbështetur nga qeveria, mbi sigurinë e gazetarëve, zbuloi se shumë prej tyre pranuan se i vetëcensuronin raportimet për çështje të debatueshme - si protestat e krahut të djathtë - nga frika se mos sulmohen. Raporti zbuloi se komentet përçmuese dhe plot helm ndaj gazetarëve lidhen drejtpërdrejt me rritjen e agresionit - si në internet ashtu edhe jashtë tij. Gratë gazetare mbajnë barrën më të madhe të këtij agresioni.

Kalimi drejt gazetarisë në internet dhe asaj me video, rritja e asaj që mund ta quani celebritizim, ka bërë që më shumë gazetarë të jenë të identifikueshëm dhe, rrjedhimisht, të kenë frikë për sigurinë e tyre. Edhe këtu Minton Beddoesi është një shembull shumë i mirë, duke qenë se The Economist, i njohur për anonimitetin e autorëve të tij, kohët e fundit është orientuar shumë më tepër drejt përmbajtjeve me video. The Insider - platforma në të cilën ajo intervistoi Muskun - është një intervistë javore e nisur shtatorin e kaluar; mes të ftuarve kanë qenë Benjamin Netanyahu dhe Tucker Carlson, ndaj Minton Beddoes nuk është e panjohur me tema të ashpra.

Qëndrimi i Muskut ndaj së vërtetës është arsyeja pse ky shkëmbim duket më i rëndësishëm sesa konfrontimet e ngjashme. T'u bësh pyetje njerëzve të pushtetshëm dhe të vazhdosh të kërkosh përgjigje edhe kur ata reagojnë keq është vetë thelbi i gazetarisë. Në përgjigjen e saj të shkurtër drejtuar abonentëve të buletinit informativ, Minton Beddoesi premtoi se do t'u kushtonte edhe më shumë vëmendje çështjeve të ngritura në intervistë. Ajo u tha atyre të prisnin raportime të reja që analizojnë faktet lidhur me ndikimin e mbylljes së USAID-it, numrin e viktimave të bandave të shfrytëzimit seksual të të miturve në Britani dhe shkallën e krimit të dhunshëm në qytetet evropiane - të gjitha temat për të cilat ajo ishte përplasur me Muskun.

Biznesi i lajmeve nuk është sjellë gjithmonë aq etikisht sa do të duhej dhe niveli i besimit është në pikën më të ulët historike, duke vazhduar të bjerë në mbarë botën e zhvilluar. Por, të dhënat dhe raportimi nga terreni janë mënyrat e vetme për ta mposhtur keqinformimin. Mund të pretendosh se në Britani është thjesht tepër e rrezikshme të ecësh nëpër rrugë, siç bëri Musku - pavarësisht se nuk e ka vizituar vendin prej disa vitesh - ose mund të gjesh të dhënat që tregojnë se shkalla e vrasjeve në përgjithësi, madje edhe e krimeve me thikë, është shumë më e ulët sesa në qytetet e mëdha amerikane, siç bëri The Economist në një video të publikuar në rrjetet sociale e cila mori 73 mijë pëlqime.

Pronësia e platformës së tij dhe pasuria e pakufishme mund t'ia japin Muskut një megafon, por ky raportim i stilit të vjetër është lloji i shërbimit publik për të cilin bota ka nevojë. Sidomos nëse Musku është vërtet Kasandra që thotë se është dhe nëse inteligjenca artificiale do t'ia kalojë njerëzve brenda një dekade - duke e bërë edhe më të vështirë mbajtjen e një lidhjeje të fortë me realitetin. /Telegrafi/