“Ndeshjet kundër nesh, janë si finale të Ligës së Kampionëve”
I pyetur se si ndihet pas fitimit të kampionatit për të dytën herë radhazi, Begolli tha: “Po është e vërtetë se këtë vit fitojmë titullin e dytë radhazi. Është një privilegj i madh për mua sepse jam një lojtar i ri, teksa edhe më jep motiv që në të ardhmen të punoj edhe më shumë. Për këtë sukses dua të falënderoj tërë ekipin, stafin dhe plisat që na kanë përkrahur vazhdimisht. Ndihem me fat që jam pjesë e kësaj skuadre të madhe”.
Normalisht që secili edicion i ka sfidat dhe vështirësitë e veta për secilin ekip, ndërsa për Prishtinën ato duket se janë më të mëdha, pasi që ekipet kundërshtare janë tejet të motivuara për fitore.
“Mendoj se çdo ndeshje që kemi pasur këtë edicion ka qenë e vështirë, kur dihet se ekipet kundërshtare kur luajnë me Prishtinën mendojnë se është finalja e Ligës së Kampionëve. Por, ne kemi një fond të madh të lojtarëve dhe i kemi kaluar të gjitha sfidat pa ndonjë vështirësi të madhe”, u shpreh Begolli për Telegrafin.
Gentriti është vetëm 21 vjeçar dhe karrierën e tij mendon ta vazhdojë diku në Evropë, por insiston se do ta respektojë kontratën me Prishtinën deri në fund.
“Unë si futbollist i ri mendoj seriozisht që karrierën time ta vazhdoj diku në Evropë, por Prishtina është skuadra e zemrës sime. Unë kam kontratë me Prishtinën që shpresoj ta përfundoj, pastaj do të shikojmë nëse do të jem pjesë e Prishtinës apo do të vazhdoj diku tjetër, por për momentin jam shumë i lumtur këtu”, potencoi Gentriti. /Telegrafi/


