Viktima e dytë nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes edhe një grua
Edhe personi i dytë që mori lëndime të rënda nga aksidenti i cili ndodhi sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova” ka ndërruar jetë rrugës për në QKUK.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Emergjencës së QKUK-së, Naser Syla. E njëjta ishte dërguar nga Spitali i Prizrenit për trajtim në QKUK, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
“Është sjellë nga spitali i Prizrenit në Qendrën Emergjente pa shenja jete”, ka thënë Syla.
Për Telegrafin nga Spitali i Prizrenit kanë bërë të ditur se nga ky aksident dy persona kanë shkuar për trajtim.
Mirëpo, siç thanë gruaja ishte në gjendje të rëndë dhe në intubim dhe e njëjta është dërguar për në QKUK.
Në këtë aksident, që ka ndodhur mes një veture dhe një kamioni në vend ngjarje ka vdekur edhe një grua.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën "Ibrahim Rugova" në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në orët e mëngjesit.
Përveç dy grave, viktima në aksident, edhe një burrë ka mbetur i lënduar. I njëjti po trajtohet në Spitalin e Prizrenit. /Telegrafi/


