Please enter at least 3 characters.

Ndërprerje me furnizim me ujë në disa lagje të Prizrenit pas reshjeve të dendura

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të ujit, është shkaktuar turbullim në burimet që furnizojnë qytetin e Prizrenit me ujë të pijshëm.

Si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për ruajtjen e cilësisë së ujit, kompania ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë në disa zona të qytetit, raporton Telegrafi.

Sipas njoftimit, ndërprerja përfshin një numër të madh lagjesh, përfshirë Ralin, Ortakoll, Arbanën, Bajram Currin, Jetën e Re, Lakuriqin, Jeni Mahallën, Bazhdaranën, Dardaninë, Bajraklinë, Petroven, Kurillën dhe zona të tjera qendrore si Sheshi i Lidhjes, Rr. Adem Jashari, Rr. Nënë Tereza dhe Landovicën (pjesërisht).



Nga ora 03:00 e mëngjesit të 27 tetorit, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren duke punuar për normalizimin e situatës dhe pastrimin e burimeve.

Për të siguruar ujë të pijshëm për qytetarët, “Hidroregjioni Jugor” ka paralajmëruar se do të angazhojë autobotë furnizues, ndërsa lokacionet dhe oraret e shpërndarjes do të bëhen publike gjatë ditës.

Kompania ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve, duke theksuar se situata është pasojë e faktorëve natyrorë jashtë kontrollit të saj dhe ka apeluar për përdorim të kujdesshëm të ujit gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/