Please enter at least 3 characters.

Ndalohet për 48 orë i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçarit në Gjakovë

Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është duke e hetuar një rast të vrasjes që është raportuar më 7 qershor 2026 në këtë komunë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka iniciuar procedurë penale për veprën penale “Vrasja e Rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Është arrestuar personi i dyshuar me inicialet I.S. dhe me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimës apo rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. /Telegrafi/