Ndalohet në Leposaviq me pesë ton mish, dyshohet se tentoi ta kalonte ilegalisht kufirin
Policia e Kosovës ka ndaluar një shtetas të Serbisë në fshatin Tresavë të Leposaviqit, nën dyshimin për tentim të kalimit të paautorizuar të kufirit.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 17:00, kur njësitë policore kanë ndaluar një automjet-kombi që drejtohej nga i dyshuari.
Gjatë kontrollit, në automjet janë gjetur të ngarkuara rreth 5,000 kilogramë mish dhe 250 kilogramë speca.
Policia njofton se gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se kishte tentuar të kalonte ilegalisht nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë.
Në konsultim me prokurorin, malli është dërguar në Doganën e Kosovës për procedura të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet si “Tentim i kalimit të paautorizuar të kufirit”. /Telegrafi/


