Please enter at least 3 characters.

Ndalohen punimet në dy kantiere në Drenas dhe Gjakovë, Inspektorati konstaton shkelje të rënda

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi, një në Drenas dhe një në Gjakovë, pas inspektimeve ku janë evidentuar shkelje të rënda të legjislacionit të punës dhe rregullave për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Për këtë arsye, është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në të dy kantieret, deri në eliminimin e plotë të mangësive të evidentuara.

Subjektet e inspektuara janë obliguar që të ndërmarrin masat e nevojshme për eliminimin e të gjitha shkeljeve, ndërsa punimet do të mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë përmbushjen e kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që cenojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Po ashtu, u është bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të garantojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet. /Telegrafi