Please enter at least 3 characters.

NATO reagoi pas sulmit rus me dron në Rumani

NATO ka reaguar pasi një ndërtesë banimi në Rumani u godit nga një dron gjatë sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase pranë kufirit.

Në deklaratën e saj, aleanca ushtarake perëndimore dënoi ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si të papërgjegjshme.

“Herët këtë mëngjes, një ndërtesë banimi në Rumani u godit nga një dron, ndërsa Rusia sulmoi infrastrukturën ukrainase pranë kufirit. Ne e dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë”, thuhet në reagimin e NATO-s.

Aleanca theksoi se do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen ndaj të gjitha kërcënimeve, përfshirë edhe sulmet me dronë.

Kujtojmë se Rumania është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, shkruan skynews.

Sipas Nenit 5, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Por situata nuk është aq e thjeshtë.

Kur një shtet anëtar i NATO-s aktivizon Nenin 5, aleatët mund të ofrojnë çdo formë ndihme që e konsiderojnë të nevojshme për t’iu përgjigjur situatës.

Kjo nuk do të thotë automatikisht ndihmë ushtarake dhe secili aleat vendos vetë se çfarë veprimi e konsideron të nevojshëm.

Më pas, ajo ndihmë koordinohet së bashku me pjesën tjetër të aleancës.

Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në histori, pas sulmeve të 11 shtatorit, për t’i ardhur në ndihmë Shteteve të Bashkuara në vitin 2001. /Telegrafi/