Napoli në krye
Të dyja skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë relativisht të barabartë, ku mysafirët ishin me një nuancë më të mirë, ndërsa gjërat shkuan mbrapsht për Interin në pesë minutat e fundit të fraksionit të parë.
Pas një ndërhyrjeje në Maggion, Obi u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë (41’), ndërsa për napolitanët u akordua penalti, edhe pse xhirimet treguan se ndërhyrja kishte qenë jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit.
Julio Cesar e ndali goditjen e Marek Hamsik nga pika e bardhë, mirëpo aty ishte Hugo Campagnaro për të përmirësuar gabimin e bashkëlojtarit dhe për ta dërguar skuadrën mysafire në pushim me epërsi minimale (43’).
Në gjysmën e dytë, Interi ishte ‘i plagosur’, ashtu që Napoli e shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë dhe presionin te vendasit për të shënuar edhe dy herë.
Një gabim të mbrojtjes vendase e shfrytëzoi Christian Maggio, i cili pranoi një pasim të Giuseppe Mascaras për ta dyfishuar epërsinë (57’).
Marek Hamsik e ngriti edhe më shumë avantazhin e Napolit pas një lëvizjeje të bukur dhe një pranimi të topit nga Ezequiel Lavezzi (75’).
Kjo fitore e pozicionon Napolin në vend të parë në tabelë me dy pikë më shumë se Juventus e Udinese që të dielën zhvillojnë ndeshjet e kësaj jave. /Telegrafi/


