Please enter at least 3 characters.

Muzikanti me origjinë shqiptare, album për malet e Sharrit dhe Kosovën (Video)

2016/01/FaikSardag-grup.jpg

Padyshim mund të themi se Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, promovimi më i mirë po u bëhet përmes artit dhe kulturës, por nga individë të cilët, pavarësisht arritjeve, nuk hezitojnë të tregojnë se nga vijnë dhe aq më tepër të kontribuojnë për imazhin e vendit.

Një histori shumë të veçantë ka edhe shqiptari Faik Sardag, i cili ka lindur në Stamboll, por që prej vitesh jeton në Francë. I rritur në një familje artistësh, gjyshi i tij kishte emigruar në Stamboll para shumë vjetësh, atëherë kur babai i Faikut, Zani Sharri, kishte qenë vetëm 11-vjeçar.

Duke ditur shumë pak për vendlindjen e të atit, këngëtari vendosi të vinte në Kosovë dhe të hulumtonte për këtë gjë, pasi siç shprehet ai, gjithmonë e kishte ndier se po i mungonte një pjesë tjetër e tij.

“Unë kam lindur në Stamboll, sepse babai im u transferua nga Prizreni në Stamboll kur ishte 11 vjeçar, dhe ai nuk më ka folur shumë për këtu. Kështu që, unë vendosa të vij dhe t’i gjej rrënjët e mia, për të parë se si është këtu, dhe të takohem me familjarët gjithashtu. Këtë e zbulova vjet dhe që atëherë vazhdimisht mendoja për Kosovën….Po ndihem shumë mirë. Ndieja sikur 50 për qind imja nuk ishte e kompletuar, pra isha 50 për qind i kompletuar dhe që kur erdha këtu, gjithçka është bërë më evidente” – ka thënë ai për emisionin Express të KTV-së.

Profesioni dhe jeta e Faikut është muzika dhe gjithçka që ka të bëjë me të. Marrë parasysh traditën familjare, ai thotë se ka qenë e natyrshme të përcaktohej në ndonjë degë të artit.

“Puna në një biznes që ka lidhje me kulturën është traditë familjare nga familja ime në Prizren. Stërgjyshi im ka qenë fotograf. Ai quhej Faik Sharri, e kishte një dyqan të quajtur Foto Sharri në Prizren, edhe gjyshi im po ashtu. Babai gjithashtu ka studiuar për artin figurativ, ai ishte skulptor dhe në të njëjtën kohë arkitekt. Gjithashtu edhe nëna ime ishte këngëtare në kor, kur ishte duke studiuar në Angli. Që kur kam qenë fëmijë i vogël kam qenë i rrethuar nga kultura dhe arti, kështu që ishte e natyrshme për mua që të merrem me muzikë”, është shprehur 34-vjeçari.

Artisti me muzikë ka filluar të merret prej moshës 20-vjeçare, atëherë kur nga Stambolli u shpërngul në Francë për studime, fillimisht për artin, ndërsa më pas u përcaktua në fushën e muzikës. Gjatë asaj kohe, ai u bë bashkë me bendin e tij, me të cilin ka realizuar disa albume, e po ashtu ka mbajtur një numër të madh koncertesh në Francë.

“Kam luajtur me bendin e quajtur ‘Fake Oddity’ dhe ne i kemi publikuar tri albume së bashku në Francë. Kemi mbajtur rreth 400 koncerte dhe kemi kaluar shumë kohë bashkë, duke punuar, duke udhëtuar nëpër koncerte. Në fund të vitit, vendosa ta bëj një projekt solo dhe vendosa që koncertin tim të parë ta mbaj në Kosovë, vitin e kaluar”, ka theksuar Sardag.

Ndërsa edhe këtë vit, këngëtarin e kishim në Kosovë, ku qëndroi rreth tri javë. Arsyeja kryesore e ardhjes së tij ishte Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest.

Pas ndarjes nga bendi, Faiku ka punuar shumë në realizimin e albumit si solo këngëtar. Ai tashmë ka përfunduar, ndërsa së shpejti do të bëhet promovimi i tij.

“Albumi im është gati tashti, kështu që do ta bëjmë edhe një videoklip të ri në tetor dhe këtë do të mund ta gjeni në faqen time në Facebook, po ashtu edhe në faqen time në internet. Në janar do ta kem albumin e parë me gjashtë këngë. Albumin e parë vendosa ta quaj ‘Sharr Mountains’, nuk e di si thuhet kjo në shqip, por në anglisht ne e quajmë ‘Sharr Mountains’, dhe ky është albumi i parë për Kosovën”, ka thënë muzikanti.

Përveç këngëtar, Sardag është po ashtu edhe kompozitor e tekstshkrues. Rrjedhimisht të gjitha këngët e tij i ka shkruar vetë. Ndryshe, këngëtari bëri të ditur se promovimin e albumit të tij të parë si solo artist do ta bëjë edhe në Kosovë. /Telegrafi/