Please enter at least 3 characters.

Mustafa: Riinvest dhe Forumi 2015 kanë kërkuar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, jo bllokimin e tyre

Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatet rreth zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë, duke sqaruar rolin që Riinvesti dhe Forumi 2015 kanë pasur në proceset e planifikimit të kapaciteteve të reja energjetike.

Në një shkrim të gjatë, Mustafa rikujton periudhën 2005-2006, kur në Kosovë po zhvilloheshin diskutime intensive për strategjinë afatgjatë të energjisë, bazuar në rezervat e mëdha të linjitit në vend.

Sipas tij, Strategjia e Zhvillimit të Energjisë 2005-2015, e cila u hartua nga Riinvesti dhe u miratua nga Kuvendi i Kosovës, parashihte ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike deri në 1,000 MW, përkatësisht dy termocentrale nga 500 MW.

Mustafa thotë se ky dokument ishte rezultat i analizave të shumta dhe konsultimeve me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, duke marrë parasysh jo vetëm nevojat për furnizim me energji, por edhe pasojat mjedisore, sociale dhe ekonomike që do të sillte zgjerimi masiv i shfrytëzimit të linjitit.

“Instituti Riinvest dhe Forumi 2015, duke dhënë vërejtje për projektin Kosova C/Kosova e Re 2100 MW, njëkohësisht kanë kërkuar ndërtimin sa më të shpejtë të kapaciteteve të reja prej 500 deri në 1,000 MW, sipas Strategjisë së Energjisë të miratuar nga Kuvendi në vitin 2005”, ka theksuar Mustafa.

Për më shumë lexoni të plotë postimin e tij:

“CILA ËSHTË E VËRTETA PËR NDËRTIMIN E KAPACITETEVE TË REJA ENERGJETIKE DHE ROLIN E “SHOQËRISË CIVILE “

- Çka parashihte “Strategjia e zhvillimit te energjisë 2005-2015” dhe si u anashkalua ajo pas aprovimit në Kuvend

- Si shkoi procesi rreth KosovaC2100 MW/ Kosova e Re 20100 MW

- Si ndodhë që do analistë shtrembërojnë të vërtetën dhe bëjnë “akuza” apsurde

“Në vitet 2005 dhe 2006 u aktualizua shumë çështja e zhvillimit afatgjatë të energjisë në Kosovë, bazuar në rezervat e mëdha të linjitit afër Obiliqit e Prishtinës e edhe në vise të tjera te Kosovës. Po ashtu, qeveria ishte preokupuar për aprovimin e një Plani Zhvillimor që do të përcaktonte prioritetet në një afat më të gjatë në mënyrë që kjo të mirrej si bazë për një qeverisje më cilësore. Të dy këto çështje i shtynte sidomos Ministri i Energjisë e Minierave Ethem Çeku, i cili ishte mjaftë agil dhe një menaxher i aftë. Ishin financuar shumë studime lidhur me perspektivat e zhvillimit të energjisë elektrike bazuar në centralet termike të djegies së lignitit. Ishin bërë ndoshta 10 mijë faqe dokumente nga Banka Botërore, institute gjermane e të ngjashme. BE, më saktë Agjencia Europiane për Rindërtim (AER) kishte sjellur dy ekspertë nga Greqia dhe i paguante që nga e gjithë kjo të krijonin një dokument në formë strategjie zhvillimi që do të mund ta aprovonte Kuvendi i Kosovës. Në procesin e konsultimeve që zhvillohej e ku po merrnim pjesë edhe ne e pamë qartë se këta dy “ekspertë” po provonim ndoshta ta bënin strategjinë e parë në praktikën e tyre dhe ndonëse mundoheshin shumë nuk e kishin dijën dhe përvojën për këtë punë. Ministri po bëhej nervoz me ta, njëherë u tha ta lënë punën, por punëdhënësi i tyre i mbajti derisa e prodhuan një dokument të kotë si shumë të tjerë. Pas një kohe Ministri, u interesua se a thua RIINVESTI mund ta bëjë këtë dokument.. Kjo ishte punë që bëhej.

Shihej qartë se kishte pikëpamje të ndryshme mbi mundësitë dhe nevojat e prodhimit të energjisë nga ligniti. Ato ditë në një studim i ri mbi nevojat për energji dhe mundësitë e prodhimit në rajonin e Europës Juglindore kishte dalur me konstatimin se Kosova kishte përparësi komparative dhe se këtu mund të ndërtoheshin termocentrale deri në 4400 MW. Kjo edhe nuk ishte ide e re. Ishte provuar të bëhej edhe në fillim të viteve 80’, por ishte kundërshtuar nga qeveria e Kosovës, në krye me Ymer Pulen. Bile kur fillova të punoja në Qeverinë e Kosovës, në një diskutim në nivel Federate më ra rasti ta kundërshtoja këtë ide dhe të ballafaqohem me pyetjen e kolegut nga Serbia, se “për kënd po e ruani atë qymyr” (aludonte në bashkimin me Shqipërinë). Iu përgjigja jo pa ironi, se ne po kujdesemi për serbët që do të shpërnguleshin në rast se zhvillohen ashtu minierat e lignitit. Pra problemi nuk ishte i ri për mua e as për një numër inxhinierësh e ekonomistësh. Ishte e qartë se strategjia duhej të vente disa kufizime në këtë drejtim por edhe të siguronte furnizimin ekonomive shtëpiake, biznesve dhe organizatave e institucioneve tjera në një periudhë 10-15 vite. Ndërtimi aq agresiv dhe eksploatimi masiv i lignitit e djegësia e tij prodhonte një serë efektesh negative të drejtpërdrejta e anësore. Ndotja e ajrit, tokës dhe ujrave që edhe ashtu ishte kritike,.zhvendosja e popullatës, humbja e tokës bujqësore, konsumi i madh i ujit për këtë qëllim, në vend të bujqësisë, pra shumë të panjohura, pasiguri e rreziqe që edhe ishte e vështirë të llogariteshin. Ne nuk guxonim të merrnim vendime të tilla kapitale pa pasur ato informata dhe evidencë nga studimet serioze .Andaj në konsultat që po bëja me shumë ekspertë erdhëm në përfundim, se e shumta që do të mund të aprovohej për tu ndërtuar si kapacitet i ri për periudhën 2005-2015 ishte një TC deri 1000 MW ose dy nga 500 MW. Pos ekipit të Riinvest kishim angazhuar edhe njërin nga ekspertët më të mirë të kësaj fushe profesor Ali Hamitin. Gjatë punës u ballafaquam me kërkesat e një grupi këshilltarësh të ministrit që insistonte për kapacitete më të mëdha .Ata si inxhinierë të gjenrimit që ishin nuk i kuptonin problemet sociale e ekonomike, po ndodhë edhe të ishin lobues për grupe interesi te lidhur me prodhues të pajisjesh. Megjithatë ne mbetëm te limiti 1000 MW me shumë obligime për evitimin e ndotësve ekzistues dhe pasojave të tyre të mëdha që ilustrohen me kodrën e hirit. e blozës rrënxë Prishtinës... Për fat ministri nuk insistoi më shumë dhe dokumenti shkoi diku në gusht në Kuvend ashtu siç ishte përgatitur nga ne, e prezantuam edhe para komunitetit ndërkombëtar dhe gjithçka dukej mirë. Kuvendi e aprovoi diku në tetor dhe tash duhej vetëm zbatimi i këtij dokumenti. Megjithatë menjëherë sa kishim shkelur në vitin 2006 u krijua një Komitet drejtimi i projektit Kosova C 2100 MW, i cli kryesohej nga Ministri por administrohej nga një inxhinier i ri i minierave i diplomuar në Sllovaki, i talentuar por edhe i kufizuar mjaftë. Ishte e habitshmes si po promovohej një projekt që shkelte mbi një strategji të aprovuar nga Kuvendi. Promovimi ishte aq agresiv sa përfshiu pothuajse të gjitha strukturat e shoqërisë deri te Akademia e Shkencave dhe Bashkësia Islame! Dhe gati të gjithë po i duartrokitnin!!! Projektit të ri po i jepnin përkrahje me radhë gjithë faktorët ndërkombëtar, përpos disa qarqe në BE që ishin më të ndjeshme në mbrojtjen e mjedisit. Ne e kundërshtonim, por pothuajse ishim të vetmuar me një pjesë të medieve dhe kuptohet një pjesë e madhe e opinionit që na përkrahnin. Një pjesë e madhe e inteligjencës e ekspertëve rrinte e heshtur. Megjithatë Forum 2015 dhe posaçërisht Luan Shllaku dhe unë do të sulmohemi për këtë aktivitet nga qarqe të caktuara vendore e ndërkombëtare. Bile njëherë, në fillim të 2006, në një takim në Vilton Park, qënder konferencash afër Londrës ku në një audiencë vendorësh e ndërkombëtarësh po diskutoheshin problemet ekonomike të Kosovës, një nga këshilltarët agresivë të kryminsitrit po thoshte “ata që e kundërshtojnë Projektin “Kosova C 2011 MW” janë tradhtarë. Kur mora fjalën si me ironi thash : “ Luan meqenëse unë dhe ti mendojmë se duhet një projekt deri ne 1000 MW, jemi vetëm gjysmë tradhtar”... Ne polemikën që kisha lidhur me këtë më një funksionar të lartë ndërkombëtar lidhur me këtë një ekspert i lartë që po përcillte diskutimin tonë kur ne përfunduam that “ Ju ( mendonte Kosova nuk do ta eksportoni energji, ju vetëm do ta digjni thëngjillin” ... duke aluduar ne mos respektimin e interesit publike në këtë projekt.

Me Luan Shllakun, si bashkëkryesues të Forumit 2015 vendosem ti biem fortë kësaj çështje. Krijuam një grup ekspertësh të fushave të ndryshme të udhëhequr nga Luani dhe Profesor Ekrem Beqiri, i cili ishte një nga shtyllat e Riinvest. Ata do të përgatisnin një raport që do ta diskutonim në Forum 2015 para opinionit dhe në transmetim direkt televiziv të KTV. Doli një raport me shumë argumente të grupuar në 13 fusha se përse nuk duhej zbatuar një projekti i tillë. Raporti mori titullin provakativ: “Kosova C2100MW : Një përrallë moderne”..., pra përrallë quhej ai argumentimi se ky projekt do ta shpëtojë Kosovën në aspektin zhvillimor. Në fakt projekti u mbajt gjallë edhe shumë kohe. Ende është ai komitet drejtues. Edhe Qeveria e re që erdhi në pushtet më pastaj, ndonëse si opozitë e kishte kritikuar, e mori me entuziazëm projektin duke i ndërruar emrin nga Kosova C 2100 në Kosova e Re 2100. Megjithatë, Banka Botërore dhe Komisioni Europian dhe ministrja e re prof. Justina Pula në mënyrë diskrete kishin filluar të tërhiqen kujdesshëm. Banka bëri studimin mjedisor dhe erdhi në përfundim se nuk mund të shkohet në më shumë se 1000 MW, bile tash e ka reduktuar në 600. Ende tetë vite pas asaj strategjie nuk ka ndodhur asgjë. Është humbur shumë kohë dhe është shpenzuar shumë për gjetjen e argumenteve të njohura. Ky është një studim rasti i mirë për të ilustruar qeverisjen e keqe, për arbitraritetin, për servilizmin, për provincialzimin, vënien e interesit grupor mbi atë nacional e të vendit, për moralin e dyfishtë. Po të ishte zbatuar ajo Strategji e aprovuar në Kuvend, siç ishte e obliguar të vepronin dy qeveri me radhë, sot ne do të kishin një central modern, do të mbyllnim centralin e vjetër që ndot më shumë, do të kishim prodhim edhe për eksport. Në vend të kësaj, kemi demonstruar, mosdije, dhunë ndaj ligjit dhe Kuvendit, i kemi bërë të qeshin shumë konsulentë të jashtëm se sa neglizhentë jemi, sa pak dinë dhe sa servil primitivë janë disa nga funksionarët publikë në Kosovë”. (fragment i marrun nga Libri im “Kapërcimi i vetmisë”, UNT Tiranë 2016).

XXX

Si perfundim : Instituti Riinvest dhe Forumi 2015, duke dhene verejteje per projektin Kosova C/ Kosova e re 2100 MW, njekohesisht kane kerkue ndertimine kapaciteteve te reja 500-1000 , sa me shpejet, siaps Stragjise se aprovuar ne Kuvend, ne vjeshte te viotit 2005!

Sa i përket projektit lidhur me “ Contur Global”, nuk kam çfarë ti shtoj një postimi të para disa ditësh të Dardan Abazit nga INDEP. Ai projekt i ka pasë anët veta negative , por ai kishte ne fakt vetëm një zgjidhje qe mudn te quhet pozitive – pas 20 vitesh pronësia i bartej Kosovës . Gjithashtu kur ai u refuzua konteksti kishte ndryshuar dhe çmimi i energjisë po rritej dhe kjo relativizonte problemin e çmimit që KESKO ( lexo konsumatorët në Kosovë) duhej ta paguanin prej 80 EURO MW ( në kohen kur MW i KEKUT paguhej rreth 27 Euro). Po kështu relativizohej edhe e meta tjetër që KESKO – përkatësisht Kosova detyrohej që gjithsesi ta blente terë prodhimin nga centrali I Contur Global pati e nuk pati nevojë, bile edhe duke sakrifikuar blerjen e prodhimit të KEK.

Instituti Riinvest me serinë e debateve ne Programin e tij “Green Aciton Space” ka përkrahur centralin e ri me gas . Për këtë shkroi para do ditësh z. Luan Shllaku . Qëndrimet tona janë dhënë në disa dokumente gjatë periudhës 2022-2025 ( Çfatë mixi i burimeve energjetike për Kosovën- autor Luan Shllaku, Një serë raportesh e debatesh të pasuara me “ Policy briefs” : Centrali me gas, Si te përdorët thëngjilli mëtutje, taksa e karbonit; Mendime dhe Sugjerime rreth Strategjisë për Energjinë 2023-2031, Komplementariteti i burimeve te energjisë në Kosovë dhe Shqipëri- integrimi i sistemeve, investimi ne hidrocentral ne Shqipëri etj...” ( të gjitha këto dokumente janë publike në www.riinvestinstitute.org)

Disa paraqitje te dy ose tre analistëve edhe ne debatet E TV lidhur me fushatën e zgjedhjeve trumbetuan se shoqëria civile e gjoja Luan Shllaku “ janë fajtorë për situatën e tashme energjetike në Kosovë dhe se për këtë kishte ndikuar edhe Georg Soros “. Këto aluzione janë tërësisht të pavërteta . Luani sqaroi këtë këtu ne postimin e tij në fb. Kjo mund të shihet lehtë nga dokumentet që unë përmenda këtu. Së paku le ta lexojnë Strategjinë e Energjisë 2005-2015 , duhet të jetë në dokumentacionin e Kuvendit. Jam i bindur se injorimi kësaj strategjie gjatë gjithë periudhës kur duhej të zbatohej është burimi kryesor i problemeve që kemi sot në këtë fushë. Prej analistëve do të duhej pritur që para se te flasin diçka ti lexojnë dokumentet bazike. /Telegrafi/