Mushica rezervë, Bekaj titullar kundër Drenicës
Betejën e radhës në ‘luftën’ për titullin e kampionit, Prishtina do ta zhvillojë ndaj Drenicës. Kjo ndeshje e cila i takon xhiros së 20-të të Raiffeisen Superligës do të zhvillohet nesër në kryeqytet me fillim në ora 13:00.
Trajneri i prishtinasve, Bylbyl Sokoli e vlerësoi lart këtë sfidë. “Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe për të gjithat imperativ është fitorja dhe njëjtë edhe në ndeshjen me Drenicën, do të hyjmë për fitore. E njohim kundërshtarin e cila ka një përbërje cilësore dhe nëse duam që të vijmë te rezultati duhet të japim maksimumin”, ka deklaruar Sokoli për faqen zyrtare tw klubit.
Po ashtu, në ndeshjen e nesërme spikat zgjedhja për pozitën e titullarit në portë, ku Sokoli ka vendosur t’ia besojë këtë rol të riut Visar Bekaj, përkundër se në skuadër ka portierin e përfaqësueses së Kosovës, Kushtrim Mushicën.
“Portierit Bekaj e kemi obligim t’i japim rastin, është dëshmuar në fazën përgatitore dhe tash për tash nuk ka pësuar asnjë gol. I kemi vërejtur disa gabime të cilat duhet të evitohen me punë, por unë mendoj se është një portier me perspektivë dhe tani për tani mirë po e përballon barrën e portierit standard”, ka theksuar Sokoli.
Prishtina para këtij takimi ndodhet e dyta me 34 pikë, kurse Drenica e gjashta me 26 sosh. /Telegrafi/
Gjithashtu, mësoni më shumë rreth super-talentin të ri të Prishtinës, Visar Bekaj.


