Muja: 1,334 aplikime dhe 642 përfitues të përzgjedhur për investime në zhvillimin e ekonomisë rurale
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë sot në ceremoninë e shpalljes së përfituesve të Skemës së Granteve për Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimin e Biznesit, program që zbatohet në partneritet ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-it, me synim forcimin e ekonomisë rurale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve në zonat rurale të Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se në fjalën e tij, Muja theksoi se zbatimi i kësaj skeme përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të ekonomisë rurale dhe përafrimit të sektorit bujqësor të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian dhe qasjen e programit IPARD.
“Interesimi për këtë skemë ka qenë jashtëzakonisht i madh. Në total janë pranuar 1,334 aplikime, ndërsa pas një procesi transparent dhe konkurrues janë përzgjedhur 642 përfitues. Prej tyre, 556 përfitues janë mbështetur në kuadër të skemës së investimeve të vogla, nga 915 aplikime të pranuara, 65 përfitues në kuadër të skemës së investimeve të mesme nga 216 aplikime, si dhe 21 përfitues në kuadër të skemës së investimeve të mëdha nga 203 aplikime. Këto investime nuk janë vetëm mbështetje financiare. Ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave familjare, zhvillimin e ndërmarrjeve rurale dhe forcimin e ekonomisë lokale”, deklaroi Muja.
Muja theksoi se skema vazhdon të promovojë gjithëpërfshirjen dhe barazinë në qasjen ndaj mbështetjes publike, duke bërë të ditur se 35 për qind e përfituesve janë gra, ndërsa 30 % janë të rinjë përfitues të kësaj skeme, të cilët do të investojnë në zhvillimin e fermave, bizneseve rurale dhe aktiviteteve të reja në sektorin e bujqësisë.
Programi, i bashkëfinancuar nga MBPZhR, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-i, mbështet investime në bletari, agroturizëm, përpunimin e produkteve bujqësore, kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, produktet pyjore jo-drusore, shpezëtari, akuakulturë dhe aktivitete të tjera me potencial zhvillimor, duke kontribuar në diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillim lokal.
Në përfundim, ministri Armend Muja shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-in për partneritetin e vazhdueshëm në mbështetje të sektorit të bujqësisë, duke uruar të gjithë përfituesit që investimet e tyre t’i shndërrojnë në biznese të suksesshme, konkurruese dhe të qëndrueshme, në dobi të zhvillimit ekonomik të zonave rurale dhe të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


