Please enter at least 3 characters.

"Mu prenë gjunjët, polici më tha mos kalo" - Ema Andrea rrëfen momentin kur pa të vëllain binjak pa jetë në palestër

Ema Andrea

(Foto: Grida Duma Podcast)

Aktorja e njohur Ema Andrea ka bërë një nga rrëfimet më të ndjera në Grida Duma Podcast, ku ka folur hapur për humbjen tragjike të vëllait të saj binjak, i cili humbi jetën papritur në palestër.

Mes lotëve dhe reflektimeve të forta për jetën, mungesën dhe boshllëkun që la pas kjo humbje, artistja tregoi se edhe sot e ndien si të pamundur ta pranojë plotësisht largimin e tij, duke thënë se vazhdon ta presë një shenjë nga ai.

“Pres të marrë në telefon ende… Fjala është e mangët, tani unë s’jam”, u shpreh ajo, duke pranuar se pas ikjes së vëllait nuk ndihet më e plotë dhe sikur një pjesë e saj ka mbetur përgjithmonë e munguar.

Në një tjetër moment rrëqethës, Ema Andrea tha se tani e kupton çfarë është vetmia e vërtetë, duke e përshkruar lidhjen me binjakun si diçka të pazëvendësueshme – personin që e kuptonte gjithmonë, në çdo gjendje dhe pa pasur nevojë për shumë fjalë.

“E kishim vendosur që ai do ikte para meje, por jo kaq herët”, tregoi ajo, duke shtuar se largimi i tij i papritur i ka lënë edhe një ndjenjë të fortë trishtimi e “tradhtie”, sepse nuk pati asnjë paralajmërim dhe asnjë mundësi për t’u përgatitur.

Një nga momentet më të forta të intervistës ishte rrëfimi për telefonatën fatale dhe çastin kur mbërriti në palestër, ku e kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur.

“Mu prenë gjunjët”, tha ajo, duke kujtuar momentin kur një polic i kërkoi të mos kalonte më tej.

- YouTubeyoutu.be

Aktorja foli gjithashtu pa dorashka për gjendjen e saj emocionale pas humbjes, duke pranuar se kishte pasur mendime të errëta dhe se në ato ditë të rënda kishte menduar edhe të dëmtonte veten. Megjithatë, ajo tha se nuk donte të “prishte” ceremoninë mortore të vëllait dhe se kjo ishte një nga arsyet që e ndali veten në atë gjendje të rënduar.

Ema Andrea zbuloi se në ato ditë të vështira pranë i qëndroi edhe Ori Nebiaj, duke e përmendur si mbështetje në një periudhë që, sipas saj, ishte ndër më të errëtat e jetës.

Në fund të bisedës, aktorja ndau edhe reflektime të forta për jetën dhe raportet njerëzore, duke thënë se dhimbja e kishte transformuar dhe i kishte dhënë një dimension tjetër vetes, ndërsa mungesa e vëllait mbetet një plagë që nuk mbyllet, por me të cilën mëson të jetosh. /Telegrafi/