Mr.Pantina, fituese e Streetball-it në Prishtinë
Në turneun kualifikues në Prishtinë, ata u ndeshën me ekipin FSPK për të cilin luajtën ish basketbollistë Pjetër Doda, Driton Sallauka, Amant Jaha dhe Anton Gashi dhe kështu u bënë kampionë të Prishtinës për sivjet dhe skuadra e tretë superfinaliste e edicionit të 15-të jubilar të streetballit kosovar që sivjet e mbanë emrin e sponsorit gjeneral, Limak Kosova, Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”.
Pas turneut të parë kualifikues për sivjet të zhvilluar në Gjakovë, të shtunën më 28 qershor, kampionati i 15-të jubilar i streetballit kosovar, Limak Streetball Kosova 2014 vazhdoi të dielën me turneun kualifikues në Prishtinë që ishte një nga turnet më kualitativ në histori të këtij aktiviteti.
Turneu i Prishtinës i Limak Streetball Kosova 2014 pati shumë veçori mirëpo ajo kryesorja ishin lojërat atraktive, të forta dhe fakti që përveç ndeshjes së parë të grupit A ndërmjet FSPK dhe ekipit Babellat e cila e hapi turneun dhe e cila përfundoi me rezultat 13:8, të gjitha ndeshjet tjera përfunduan para kohe me nga 15 pikë të shënuara. Kjo ndodhi si rezultat i lojës korrekte, ferr dhe shumë-shumë të bukur të të gjitha skuadrave, të cilat kënaqën të gjithë adhuruesit e pranishëm të streetballit kosovar para platosë së Teatrit Kombëtar.
Është interesant të thuhet se ekipi Mr.Pantina deri sivjet, për 7 edicione rresht ka luajtur bashkë në përbërje Valon dhe Valmir Behrami, së bashku me edhe Driton Ibrahimin, mirëpo sivjet ata u ndanë në dysh në dy ekipe, ku njëri vëlla Valon Behrami me dy shokë tjerë: Besar Ahmetin dhe Xhelal Hamitin regjistruan ekipin Mr.Pantina kurse vëllau i tij Valmiri dhe shoku Driton Ibrahimi të përforcuar me Driton Ramosajn dhe Agim Zariçin, e regjistruan ekipin 123 i cili arriti të kualifikohet deri në gjysmëfinale ku u takua pikërisht me ekipin Mr.Pantina i cili u tregua më i mirë dhe fitoi me rezultat 15:7 duke i hapur vetës rrugën deri në finale ku pas një ndeshje dramatike dhe jashtëzakonisht të fortë, fitoi me rezultat 15:12 ndaj FSPK-së.
Ndryshe, sivjet në kryeqytet garuan 12 skuadra të ndara në katër grupe. Lojërat ishin të forta, dramatike deri në fund dhe siç thamë më herët, jashtëzakonisht ferr dhe korrekte, ku nga gjithsejtë 19 ndeshje të zhvilluara vetëm ndeshja e parë e cila e hapi turneun përfundoi pas skadimit të kohës prej 10 minutave kurse gjitha 18 ndeshjet tjera u përmbyllën para kohe ngase skuadrat fituese realizuan nga 15 pikë para skadimit të kohës së rregullt. Ishte kjo një kënaqësi e rrallë gati e paparë në histori të streetballit kosovar.
Në grupin A ku luajtën FSPK, Babellat dhe Fejklerat, pas tri xhirove të zhvilluara, për në çerekfinale u kualifikuan FSPK dhe Babellat.
Në grupin B ku përveç ekipit që e përmendëm 123, luajtën edhe Amigat, ekipi finalist i vitit të kaluar dhe ekipi i çunave simpatikë me emrin Brazukat. Pas derbit dramatik në xhiron e tretë të grupit B, ekipi 123 ishte më e mirë se Amigat dhe fitoi me rezultat 16:13 duke e zënë vendin e parë kurse Amigat përfunduan në vendin e dytë.
Në grupin C, skuadra e djelmoshave që kishin ardhur nga Mitrovica, Tavnik City, zuri vendin e parë pasi mposhti ekipet ABC Prishtina dhe Rellat, ndërsa vizën çerekfinale skuadra Rellat e siguroi pasi që në duel direkt e mposhti ekipin ABC Prishtina. Duhet theksuar po ashtu se skuadra Rellat nga organizatori i garave, Shoqata e Streetballit të Kosovës u shpall në fund të turneut si skuadra më e disiplinuar dhe atraktive
Në grupin D, si thamë më herët, e pa konkurrencë ishte Mr.Pantina e cila mposhti rivalët: KB24 dhe Praçkat ndërsa, vendimtare për përcaktimin e skuadrës së dytë e cila nga ky grup doli në çerekfinale ishte ndeshja e parë e këtij grupi ndërmjet të KB24 dhe Praçkës, duel ky të cilin e fitoi skuadra Prraçkat me rezultat të ngushtë 15:12, pas një drame të vërtet.
Në këtë mënyrë, një nga skuadrat veterane të streetballit kosovar KB24 e përbërë nga streetballistat shtimjanë Besart Zeqiri, Halit Hysenaj, Visar Tershani dhe Avdi Krasniqi, për herë të parë prej se marrin pjesë në gara në këto 15 vite, nuk arritën ta kalojnë rrethin e parë. Mirëpo kur kjo mund t’i ndodh një Spanje si kampione bote në Kupën e Botës, atëherë mund t’i ndodhë edhe KB24 e cila tash do ta sprovojë fatin edhe në Ferizaj ku po ashtu merr pjesë tradicionalisht.
Në çerekfinalen e parë, FSPK u takua me Prraçkat dhe i mposhti me rezultat 15:11, me të njëjtin rezultat me të cilin edhe Tavnik City, skuadra e djelmoshave mitrovicas e cila luante basket shumë të bukur dhe e mposhti ekipin Amigat, nënkampion i Prishtinës nga edicioni i kaluar, për të cilin luanin Albatrit Berisha, Kushtrim Aliu, pastaj veterani i streetbollit kosovar, Amir Gashi i cili nga viti 2000, nuk e ka huq asnjë edicion të vetëm dhe i cili njihet për shënimet nga distanca, si dhe për herë të parë me ta ish lojtari i Bashkimit, Altin Sahiti.
Si thamë më herët, 123 e mposhti ekipin Rellat me 15:12 kurse Mr.Pantina ekipin Babellat me 15:9, për ta përcaktuar gjysmëfinalen ndërmjet vëllezërve dhe ish-bashkëlojtarëve të dikurshëm.
Gjysmëfinalja e parë ishte ajo ndërmjet të FSPK-së dhe Tavnik City. Ishte ky një duel tejet i bukur dhe mbresëlënës që në fund i takoi skuadrës FSPK por sikur të fitonte edhe Tavnik City, do të ishte me plotë meritë, ngase tregoi lojë të shkëlqyer.
Gjysmëfinalja tjetër përballi ish bashkëlojtarët e MR.Pantinës, Driton Ibrahimin dhe Valmir Behramin në një anë, të cilët sivjet luanin për ekipin 123, dhe nga ana tjetër, Valon Behramin vëllanë e Valmirit, i cili e ruajti traditën dhe luajti për Mr.Pantinën duke bashkëpunuar sivjet me Besar Ahmetin dhe Xhelal Hamitin dhe duke i mposhtur me rezultat 15:7, për të kaluar në finale.
Në finale, treshja e Mr.Pantinës u takua me streetballistat prizrenas, të gjithë ish basketbollistë të dalluar që ende rekreohen me basket, Pjetër Doda, Driton Sallauka dhe Anton gashi të ndihmuar nga qendra, Amant Jaha. Dueli final ishte ajkë mbi ëmbëlsirën e quajtur Limak Streetball Kosova 2014 në Prishtinë dhe një duel për gurmanët e streetballit. Drama ishte maksimale.
Fillimisht, skuadrat shkua të niveluara deri në minutën e 4-të kur rezultati ishte, për çudi, me shifra të njëjta, 4:4. Më pas me dy treshe të shpejta të Dodës dhe Sallaukës, FSPK kaloi në epërsi prej 8:4. Mirëpo përgjigja erdhi shpejtë përmes një loje të qetë dhe të durueshme, pikë për pikë të ekipit Mr.Pantina, i cili barazoi në 8:8. Një tjetër dyshe e Dodës, sërish ngriti epërsinë në 2 pikë për FSPK, 10:8. Por, dy treshe eksprese të MrPantinës e kaluan rezultatin në favor të tyre 10:12.
Në këtë u përgjigj Sallauka për 12:12 por kjo ishte e tëra që bëri sepse tri pikët e radhës i shënoi skuadra Mr.Pantina dhe në finish të lojës u tregua më e koncentruar duke fituar këtë duel me 15:12 dhe duke u shpallur kampione e sivjetme e Prishtinës.
Kështu, Mr.Pantina do ta përfaqësojë kryeqytetin në Superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014, të dielën me 20 korrik në Gjakovë, ku tashmë janë kualifikuar fituesi i turneut të sivjetmë i Gjakovës, ekipi HD Club i udhëhequr nga Driton Rraci dhe kampionia e Streetball Kosovës vitin e kaluar, skuadra Che Bar, e cila ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e madhe të këtij edicioni.
Pra tashmë i dimë tri nga tetë superfinalistat e Limak Streetball Kosova 2014 që më 20 korrik në Gjakovë do të luftojnë për tri çmime kryesore: “1000 copa t’buta”, kualifikimin direkt në superfinalen e vitit 2015 dhe përfaqësimin e Kosovës në garën e FIBA 3x3 Basketball, Bucharest Challenger 2015. /Koha/Telegrafi/


