MPJ-Maqedoni: Bullgaria të mos jetë recensuese, por partner në dialogun evropian
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut lëshoi një reagim ndaj deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, duke shprehur keqardhje që pala bullgare po pozicionohet gjithnjë e më shumë si recenzuese e deklaratave të përfaqësuesve politikë të RMV-së, në vend që të jetë partnere në një dialog përmbajtjesor dhe të orientuar drejt Evropës.
Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së thekson se vendi nuk ka as qëllimin dhe as nevojën të përfshihet në proceset e brendshme politike apo zgjedhore në Republikën e Bullgarisë, as përmes komenteve, interpretimeve apo përfshirjes në narrativat e politikës ditore.
"U bëjmë thirrje institucioneve bullgare të udhëhiqen nga parimet e fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellë, largpamësisë dhe komunikimit institucional, parime që janë vlera themelore evropiane. Evropa ndërtohet me besim dhe rezultate, jo me etiketa dhe kualifikime politike", thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
Kujtojmë se MPJ e Bullgarisë më herët shprehu "zhgënjim të thellë" për atë që e përshkroi si qasje të vazhdueshme jokonstruktive të Shkupit zyrtar dhe deklaratat e përsëritura, të paqarta dhe manipuluese në publik.
Në deklaratë, MPJ bullgare reagoi konkretisht ndaj deklaratave të Ministrit të Jashtëm të RMV-së, Timço Mucunski në lidhje me iniciativën e supozuar të shteteve anëtare "më të mëdha dhe më me ndikim" të BE-së për të organizuar një takim midis tij dhe homologut të tij bullgar Georg Georgiev, duke i vlerësuar këto pretendime si manipuluese.
"Konsensusi Evropian i vitit 2022 u miratua unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga vetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Dialogu është institucional dhe zhvillohet midis vendit kandidat dhe BE-së, dhe zbatimi varet vetëm nga Shkupi", thanë nga Ministria e Jashtme bullgare./Telegrafi/


