Please enter at least 3 characters.

Motra e Milan Vukashinoviqit identifikon autorin e plagosjes së të vëllait: Ishte bashkëpunëtori i Radoiçiqit

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Kosovës në rastin e Milan Vukashinoviqit, një serbi i cili në muajin nëntor të vitit të kaluar u plagos në rrethana misterioze në veri të Kosovës, sipas familjes së tij, ka zbardhur rrethana të reja që i paraprinë plagosjes.

Motra e Milanit, Ivana, në një bisedë për Nova.rs thekson se, pavarësisht se ka kaluar gati një vit, nga institucionet serbe ende nuk ka marrë përgjigje për pyetjet kyçe lidhur me rastin.

Familja e Milanit, sipas motrës së tij, ka mësuar vetëm përmes informacioneve të dala gjatë hetimeve të Prokurorisë së Kosovës për personat që, sipas aktakuzës, dyshohet se kanë qenë të lidhur me organizimin e ngjarjes.

Veçanërisht i ka tronditur emri i personit të identifikuar me inicialet A. F. Ajo pretendon se bëhet fjalë për Aleksandar F., një person që e njeh që nga koha e shkollës dhe me të cilin ka punuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut.

Bashkëpunëtor i Milan Radoiçiqit

Sipas pretendimeve të saj, Aleksandar F. ka qenë bashkëpunëtori dhe miku i parë i Milan Radoiçiqit, biznesmenit kontrovers. Ajo thotë se, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, ai kishte ndikim të konsiderueshëm te policët dhe zyrtarët e tjerë në veri të Kosovës.

“Është pak të thuhet se jemi në shok, veçanërisht pasi njëri prej organizatorëve është personi me inicialet A. F. Bëhet fjalë për Aleksandar F., bashkëpunëtorin dhe mikun e parë të Milan Radoiçiqit”, deklaroi motra e Milanit.

Ajo pretendon se, pas vendimit të policëve dhe zyrtarëve serbë për t’u larguar nga institucionet në veri të Kosovës, Aleksandar F. e kishte cilësuar vëllain e saj, i cili nuk ishte larguar nga vendi i punës, si “tradhtar” dhe “spiun”.

“Meqë Milani nuk e la vendin e punës, Aleksandar F. e shënjestroi si tradhtar dhe spiun, ndërsa personat nga veriu i Kosovës që kishin kontakte me Milanin i paralajmëronte duke u thënë se Milani ishte armik i shtetit dhe se do të përballej me pasoja”, pretendon motra e tij.

Ajo vlerëson se pikërisht rrethana të tilla tregojnë se, përveç strukturave shtetërore, në të gjithë këtë çështje kanë qenë të përfshira edhe formacione parashtetërore.

“Po arrijmë te ajo që është thënë që nga fillimi, se bëhet fjalë për një konflikt personal, mosbindje dhe të tjera”, thotë ajo.

“Nga pala serbe –heshtje”

Ndërsa Prokuroria e Kosovës tani, përmes aktakuzës, po nxjerr detaje të reja për rastin, familja pretendon se nuk ka marrë përgjigje nga institucionet e Serbisë.

“Familja, për fat të keq, nuk ka marrë asnjë shpjegim, vetëm një mur heshtjeje. Të gjitha institucionet janë kontaktuar, por pa përgjigje”, thotë motra e Milanit.

Për familjen mbetet veçanërisht e paqartë se si hetimi nga pala kosovare, sipas interpretimit të tyre, ka arritur te emra dhe informacione konkrete, ndërsa nga pala serbe, siç pretendojnë ata, nuk ka pasur asnjë përparim.

Sipas saj, hetuesit kosovarë nuk kanë arritur te emri i Aleksandar F. përmes familjes, por përmes ekspertizës së telefonave të gjetur te Vidosav Mitroviq, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka ndihmuar në tentativën për vrasjen e rëndë të Milan Vukashinoviqit nga Leposaviqi.

“Askush nga familja nuk e ka përmendur Filipoviqin. Ata kanë arritur tek ai përmes ekspertizës së 11 telefonave që i kanë gjetur te Vidosav Mitroviqi”, deklaron ajo.

Milani ende i palëvizshëm, trajtimi mjekësor sërish është ndërprerë

Ndërkohë, Milani ndodhet në Kragujevc dhe, sipas motrës së tij, ende është i palëvizshëm.

Ajo pretendon se gjatë 21 ditëve që ai kaloi në Qendrën Klinike të Nishit, gjendja e tij ishte përmirësuar, por pas kthimit në paraburgim, pa terapi të rregullta, gjendja e tij është përkeqësuar sërish.

Sipas motrës së tij, Milani kishte marrë miratimin për të vazhduar trajtimin në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA), por ky trajtim është bllokuar në momentin e fundit.

“Kur ishte 21 ditë në Qendrën Klinike të Nishit, pati përmirësime, por pa terapi në paraburgim, gjendja e tij u kthye në pikën e mëparshme. Mori miratimin për të vazhduar trajtimin në VMA, por në momentin e fundit u bllokua”, thotë ajo.

Sipas saj, pasojat e plagosjes janë të përhershme.

“Ai ka ndryshuar plotësisht, në kuptimin negativ, dhe fatkeqësisht pasojat do të jenë të dukshme gjatë gjithë jetës”, deklaron motra e Milanit.

Filipoviqi e quajti familjen “tradhtare”

Ajo pretendon gjithashtu se gjatë një bisede me Aleksandar F. më 31 gusht, ka marrë një mesazh që e ka përjetuar si paralajmërim.

Sipas saj, ai i ka thënë se e dinte për kontaktet e saj dhe të nënës së saj me Policinë e Kosovës, pas së cilës, siç pretendon ajo, i ka quajtur “tradhtare”.

“Ai më tha drejtpërdrejt se e dinte për kontaktin e nënës sime dhe timin me Policinë e Kosovës, se nëna ime gjithmonë më njofton kur jep deklarata si palë e dëmtuar, se presidenti ynë është Kurti dhe se ne jemi tradhtare”, pretendon ajo.

Motra e Milanit thotë se familja nuk ndihet drejtpërdrejt e kërcënuar, por ekziston shqetësimi për presion të mundshëm dhe për sigurinë e tyre.

“Milani nuk ka frikë për sigurinë, por ekziston dyshimi i arsyeshëm se po bllokohet trajtimi i tij dhe këtë ia ka thënë gjyqtarit gjatë vizitës”, deklaron ajo.

Deri tani, sipas saj, askush nga familja nuk ka marrë kërcënime të drejtpërdrejta, por ajo shton se pas bisedës me Filipoviqin ka krijuar përshtypjen se mund të ketë probleme gjatë hyrjes në Serbi.

Dy hetime, njëri pa përparim

Rikujtojmë se hetimet për plagosjen e Milan Vukashinoviqit po zhvillohen nga dy polici – ajo e Serbisë dhe Policia e Kosovës.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk është prononcuar zyrtarisht, por përmes mediave pranë pushtetit ka publikuar pretendime se Vukashinoviqi ishte arrestuar për spiunazh dhe se ishte plagosur gjatë përpjekjes për arratisje, nga pala kosovare pretendohet se ai është plagosur nga pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë dhe praktikisht është rrëmbyer.

Sulmi ndaj Vukashinoviqit ka ndodhur më 1 nëntor 2025 në fshatin Jelashcë. /Telegrafi/