Moto Guzzi World Days 2026: Mandello del Lario bëhet qendra e botës së motoçiklizmit me hapjen e fabrikës dhe muzeut të ri
Moto Guzzi përgatitet për një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj. Nga 3 deri më 6 shtator 2026, Mandello del Lario, në brigjet e liqenit Como, do të jetë qendra e vëmendjes së botës së motoçiklizmit, duke mirëpritur edicionin më të madh të Moto Guzzi World Days (GMG), i cili do t’i kushtohet inaugurimit të fabrikës së re dhe muzeut të ri të markës legjendare italiane.
Eventi do të shënojë edhe festimin e 105-vjetorit të themelimit të Moto Guzzi, duke hapur një kapitull të ri në historinë e një prej prodhuesve më ikonë të motoçikletave në botë.
Fabrika e re përfaqëson një ndërthurje mes traditës dhe inovacionit. Një strukturë moderne dhe teknologjikisht e avancuar, e ndërtuar në të njëjtin vend ku Moto Guzzi ka prodhuar motoçikleta pandërprerë që prej vitit 1921.
Ky ambient i ri do të jetë shtëpia ku do të lindin modelet e së ardhmes të markës, duke ruajtur njëkohësisht trashëgiminë historike që e ka bërë Moto Guzzi një simbol global të pasionit për motoçiklizmin.
Muzeu i ri Moto Guzzi: historia, teknologjia dhe inovacioni në një hapësirë unike
Një nga pikat kryesore të inaugurimit do të jetë Muzeu i ri Moto Guzzi, një hapësirë e dedikuar historisë së jashtëzakonshme të markës, ku ndërthuren teknologjia, dizajni dhe inovacioni i vazhdueshëm.
Muzeu i ri do të shërbejë si një qendër moderne për vizitorët nga e gjithë bota, duke ofruar përvoja interaktive, ekspozita historike dhe mundësi për të zbuluar evolucionin e një prej emrave më të rëndësishëm të industrisë së motoçikletave.
Kompleksi i ri do të përfshijë gjithashtu një hapësirë të madhe Motoplex Store, një zonë kafeje, ambiente për seminare, aktivitete edukative, evente dhe eksperienca të personalizuara për tifozët.
Të gjitha këto ambiente do të jenë të hapura për publikun pa pagesë gjatë periudhës së GMG 2026, nga e enjtja 3 shtator deri të dielën 6 shtator, pas regjistrimit në faqen zyrtare të eventit.
Mijëra motorë dhe tifozë priten në Mandello del Lario
Moto Guzzi World Days 2026 pritet të mbledhë dhjetëra mijëra apasionantë të motoçiklizmit nga e gjithë bota. Programi i aktivitetit do të jetë i pasur me muzikë, argëtim dhe aktivitete të dedikuara për të gjithë adhuruesit e dy rrotave.
Një nga momentet më spektakolare do të jetë parada tradicionale e së shtunës në mëngjes, ku mijëra motoçikleta Moto Guzzi të të gjitha epokave dhe modeleve do të udhëtojnë nga Lecco drejt Mandello del Lario, duke krijuar një spektakël unik për publikun.
Vizitorët do të kenë gjithashtu mundësinë të provojnë falas modelet më të fundit të gamës Moto Guzzi, ndërsa zona e ushqimit me produkte lokale dhe ndërkombëtare do të kompletojë atmosferën festive.
Me muzikë live, skenë argëtimi të organizuar nga Virgin Radio, ekspozita dhe aktivitete për publikun, GMG 2026 synon të jetë më shumë se një takim motoçiklistësh: një festë globale e pasionit, historisë dhe së ardhmes së Moto Guzzi.
Mandello del Lario do të bëhet për katër ditë kryeqyteti botëror i motoçiklizmit, duke bashkuar 105 vite traditë me vizionin e një epoke të re. /Telegrafi/


