Please enter at least 3 characters.

“Mos bëj sikur të dhimbset Saliu, në 2021 bashkëpunove me mua”, “S’të kam takuar kurrë” replika në Kuvend mes Ballës dhe Topallit

Një replikë është shënuar këtë të martë mes kreut të Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe deputetes së PD-së Jozefina Topalli.

Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që është çuar në foltore dhe ka replikuar me kreun e PD-së, Sali Berisha, duke i thënë se ai është akuzuar për korrupsion nga SHBA.

Më tej, Balla ka thënë se Jozefina Topallit nuk duhet t’i dhimbset Berisha, sipas tij, sepse ajo ka bashkëpunuar në zgjedhjet e 2021 me PS-në.

Nga ana tjetër, Topalli është çuar dhe ka replikuar duke thënë se nuk e ka takuar kurrë Taulant Ballën, dhe se sipas saj zgjedhja e saj në 2021 ishte sepse në krye të PD-së ishte një njeri i kontrolluar nga socialistët, raporton euronews.al.

“Kur ti drejtohesh këtij krahu këtej, duhet ta lash mirë gojën, dëgjove, dhe ngrije kokën e laje mirë gojën, sepse për këto që thuaj zotrote je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ne s’kemi thënë asgjë më shumë se çfarë ka thënë SHBA, të cilat të kanë shpallur non grata për korrupsion.

Drejtësia në Shqipëri të ka marrë të pandehur për korrupsion. Je i akuzuar për korrupsion dhe vjen këtu dhe të bësh të pandershmin, të flasësh në emër të drejtësisë dhe madje të bëhesh ti emisari për të sjellë haberet e drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon përpara drejtësisë dhe i merr me libër shpie të gjithë ata që të kanë ngritur ty akuzën: merr prokurorin, merr gjyqtaren.

Do vish këtu, do merresh edhe me mua, që e kam nderin e madh të jetës sime që jam njeriu që të kam kallëzuar ty. Do merresh edhe me mua që kam nderin e jetës të jem njeriu që të kam kallëzuar. Ngrije kokën, Sali, 100 herë të kthehem mbrapa do e bëja. Jozefinë, mos u bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, ma kurse, se në 2011 bashkëpunuam bashkë kundër Saliut. Por na dole huq, nuk more vota në Shkodër. Jozefinë, historia në 20 vite, rikthimet si puna jote… Ulsia ka një shprehje të bukur, ajo pas asaj.

Sali, laj gojën sa herë përmend PS-në, se ta ka dhënë përgjigjen dhe do të ta japë edhe në 2029. Tani çohu, na sqaro vendimin e djeshëm. Do vini në komision apo jo?”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar edhe Topalli.

“Për të pasur një seancë normale duhet zbatuar rregullorja, ndërsa tani po i kthej përgjigje parafolësit. Është e ditur publikisht që në vitin 2021 kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD-së ishte dikush që ju e kontrollonit në çdo lëvizje; e ke takuar Lulzim Bashën në mënyrë të fshehtë. Prandaj, merre vetë, mos ma drejto mua, se unë s’të kam takuar ty.

Për zgjedhjet ka një raport të OSBE-së që thotë shumë gjëra: si është përdorur administrata, paraja, si janë dhënë bonuset, tenderët, parapensionet etj. Por ka një frazë që është më e rëndë, që ju nuk e thoni kurrë: thotë se në Shqipëri ndodh diçka që nuk ndodh askund tjetër. Vijë ndarëse mes pushtetit dhe partisë nuk ekziston. Shih se çfarë keni bërë: ja keni dhënë vetë zarfet diasporës, shkove në Greqi duke i kërcënuar se, nëse nuk jepnin votën për ju, do t’iu hiqnit familjarët nga puna. Ta kam thënë edhe një herë: në Bjellorusi zgjedhjet fitohen me 70%, Putini i fiton me 75%, në Shqipëri Rama i ka marrë me 90%”, tha ajo.