MKRS ndanë për KOK-un 450 mijë euro për vitet 2015/16
Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani.
Në takim është diskutuar edhe për hapat që do të ndërmerren deri me datë 9 dhjetor 2014 kur Sesioni i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) do të marrë vendim për pranimin e plotë të KOK-ut në KON.
Ministri Krasniqi, vlerëson se pas rritjes së nevojave dhe kërkesave për KOK-un është e nevojshme një mbështetje më e madhe për këtë organizatë edhe nga sektori privat, tani kur pritet që Kosova do të merr pjesë në Lojërat Evropiane 2015 në Baku dhe në Lojërat Olimpike 2016 në Rio.
Besim Hasani thotë se me njohjen e KOK-ut nga ana e KON-it, Kosovën e presin përgjegjësi më të mëdha, pasi rriten kërkesat për avancimin e performancës të sportistëve, trajnerëve, të ekspertëve por edhe të njerëzve që janë të angazhuar në KOK.
Ata u pajtuan edhe për avancimin e infrastrukturës sportive, por edhe në avancimin e mëtejmë të legjislacionit përkatës. /KP/Telegrafi/


