“Misteri” i mospjesëmarrjes së Penzës në WBFAL
Garat në WBFAL priteshin që të fillonin gjatë muajit tetor dhe skuadra e Penzës u përkujdes edhe për disa përforcime, pasi kishte synime të mëdha. Përforcimet u bënë ekskluzivisht për pjesëmarrje në WBFAL. Mirëpo, me gjithë paralajmërimet dhe pritjet e mëdha për pjesëmarrje në këtë ligë rajonale, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Penza nuk po merr pjesë në WBFAL, pasi klubet e tjera pjesëmarrëse kanë kërcënuar me tërheqje nëse do të marrë pjesë skuadra nga Kosova, shkruan kohaditore.
Kështu insistojnë basketbollistet e klubit pejan në kushte anonimiteti, të cilat ende nuk i kanë humbur shpresat për të luajtur në këtë ligë rajonale. Atyre i është thënë nga Kryesia e klubit që liga ende nuk ka filluar dhe vazhdimisht janë në kontakte me zyrtarët e kësaj lige. Por, zyrtarët e klubit për gazetën kanë thënë se kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në WBFAL për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
"Fillimisht në WBFAL u paraqitën katër ekipe dhe liga ishte në dilemë se kur do të startojë dhe me çfarë sistemi. Më vonë u vendos me sistem të trefishtë, por ne kemi hequr dorë nga garat për shkak të mjeteve. Sponsorët na dështuan në momentet e fundit", ka thënë sekretari i Penzës, Izet Ilazi.


