Meta lajmrohet nga qelia pas rezultatit të zgjedhjeve: Nuk pranoj asnjë marifet
Ilir Meta ka falënderuar rreth 8 mijë zgjedhësit që e mbështetën në zgjedhje, duke i cilësuar ata si heronj që qëndruan të fortë përballë presioneve të makinerisë kriminale shtetërore.
Ai ka theksuar se nuk mund të pranojë marifet për të marrë mandatin parlamentar dhe se lufta e tij ka qenë gjithmonë për një përfaqësim të drejtë.
Meta ka falënderuar Tedi Blushin dhe kolegët e Partisë së Lirisë për angazhimin e tyre dhe gjithashtu ka vlerësuar komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit që vazhdojnë të mbrojnë çdo votë deri në fund.
Postimi i plotë:
Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.Dua t'i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi , dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit. /Telegrafi/


