Please enter at least 3 characters.

Messi, Yamal dhe Kounde nisin trendin - yjet e futbollit dhe obsesioni i ri me çantat e shtrenjta

Në botën moderne të futbollit, imazhi i lojtarëve nuk lidhet më vetëm me atë që ndodh në fushë, por edhe me stilin e tyre jashtë saj.

Në aeroportet ndërkombëtare dhe gjatë grumbullimeve të kombëtareve, gjithnjë e më shpesh vëmendja nuk shkon te orët luksoze apo atletet e shtrenjta, por te një detaj tjetër - çantat.

Fotografitë e futbollistëve që mbërrijnë në stadiume apo nisen për ndeshje me çanta të markave të njohura janë kthyer në një fenomen të veçantë të kulturës sportive dhe të rrjeteve sociale.

Ky trend tregon se moda dhe sporti janë të lidhura më fort se kurrë më parë.

Një nga emrat më të përmendur në këtë kontekst është Lionel Messi, i cili është parë disa herë me çanta luksoze si Hermes Birkin, një model që mund të kushtojë deri në rreth 80 mijë euro, varësisht nga materiali dhe dizajni.

Këto paraqitje të tij kanë tërhequr shumë vëmendje në media dhe rrjete sociale.

Nga ana tjetër, edhe gjenerata e re e futbollistëve po ndjek të njëjtin trend.

Emra si Lamine Yamal tregojnë se moda e luksit nuk është më vetëm për lojtarët me karrierë të gjatë, por edhe për talentet e reja që sapo po hyjnë në skenën e madhe.

Po ashtu, mbrojtësi francez Jules Kounde është bërë një nga figurat më të dalluara për stilin e tij, duke u konsideruar shpesh si një nga futbollistët më të veshur më mirë në botë.

Ai shpesh shfaqet me çanta të përzgjedhura me kujdes nga markat më të njohura.

Markat luksoze si Louis Vuitton, Chanel, Dior, Goyard dhe Bottega Veneta janë bërë pjesë e zakonshme e gardërobës së futbollistëve të elitës.

Modelet si Louis Vuitton janë kthyer pothuajse në 'uniformë' për shumë lojtarë gjatë udhëtimeve.

Dikur, çanta luksoze në stilin mashkullor konsiderohej diçka e rrallë apo e pazakontë, por sot ajo është kthyer në një simbol statusi dhe suksesi.

Jules Kounde

Futbollistët e përdorin jo vetëm si aksesor mode, por edhe si mënyrë për të shfaqur stilin e jetesës dhe fuqinë financiare.

Si rezultat, çdo paraqitje e tyre në aeroport apo para ndeshjeve analizohet me kujdes nga fansat dhe mediat, jo vetëm për performancën sportive, por edhe për detajet e stilit, ku çanta është bërë një nga elementët më të komentuar të imazhit të futbollistëve modernë. /Telegrafi/

Lamine Yamal