Please enter at least 3 characters.

Messi hyn nga banka dhe gjen golin - Argjentina e mbyll me maksimum grupin

Argjentina e ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Jordaninë me rezultatin 3-1 dhe duke e mbyllur grupin me maksimumin e pikëve.

Kampionët në fuqi konfirmuan edhe një herë statusin e favoritëve, ndërsa Lionel Messi u rikthye nga stoli për të lënë menjëherë gjurmë me një gol spektakolar.

Argjentina e nisi ndeshjen në sulm dhe krijoi raste të shumta. Fillimisht, një gol i Giovani Lo Celso u anulua për pozicion jashtë loje, por mesfushori u hakmor në minutën e 19-të, kur realizoi një goditje dënimi të shkëlqyer për avantazhin 1-0.

Skuadra e Lionel Scaloni vazhdoi të dominojë dhe, pas një ndërhyrjeje të VAR-it, fitoi një penallti në minutën e 30-të. Lautaro Martínez u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke dyfishuar epërsinë në 2-0.

Në pjesën e dytë, Jordania reagoi dhe ngushtoi shifrat në minutën e 55-të me Mousa Tamari, i cili mposhti portierin argjentinas pas një asistimi të Ehsan Haddad.

Në minutën e 60-të erdhi momenti që tifozët prisnin. Messi u aktivizua nga stoli, duke zëvendësuar Lautaro Martinezin.

Vetëm 20 minuta më vonë, ylli argjentinas vulosi fitoren me një supergol nga goditja e lirë. Kapiteni dërgoi topin me saktësi në cepin e portës, pa i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar dhe vendosi rezultatin përfundimtar 3-1.

Me këtë fitore, Argjentina e mbyll fazën e grupeve me 9 pikë nga tri ndeshje, duke kaluar në fazën me eliminim direkt si vendi i parë i grupit dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer në mbrojtje dhe sulm. /Telegrafi/