Merz: Presioni i Trumpit ndaj aleatëve të NATO-s është i justifikuar
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka komentuar qasjen e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përmes presionit të fortë po i nxit aleatët të rrisin shpenzimet për mbrojtje, duke e vlerësuar këtë qëndrim si të justifikuar.
Merz e krahasoi qasjen e drejtpërdrejtë të liderit amerikan me tonin më të butë të paraardhësve të tij, thirrjet e të cilëve, sipas tij, në Evropë mbetën pa përgjigje.
“Presidentët e mëparshëm amerikanë na kanë kërkuar me mirësjellje: ‘Ju lutemi, më në fund bëni më shumë për mbrojtjen tuaj’. Por këto kërkesa në të gjithë Evropën kryesisht kanë hasur në vesh të shurdhër”, tha udhëheqësi gjerman.
“Tani kemi një president amerikan që thotë shumë drejtpërdrejt: ‘Mjaft është mjaft’. Dhe nuk mund ta fajësoj për këtë”, shtoi kancelari gjerman.
Merz theksoi se shifrat tregojnë një pabarazi të madhe brenda aleancës.
“Mjafton të shikojmë shifrat: Shtetet e Bashkuara mbulojnë rreth 80 për qind të burimeve të mbrojtjes së NATO-s, ndërsa Evropa vetëm rreth 20 për qind”, deklaroi ai.
“Kjo është e papranueshme. Gjithmonë ka qenë i papranueshme”, përfundoi kancelari gjerman.
Ndryshe, SHBA-ja shpenzon rreth 900 miliardë dollarë në vit për mbrojtje gjersa aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja shpenzojnë rreth 570–575 miliardë dollarë në vit për mbrojtje. /Telegrafi/


