Please enter at least 3 characters.

Merz: Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i BE-së deri në fund të dekadës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret e nevojshme për t'u bërë pjesë e bllokut evropian.

Duke folur gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të mbahen peng nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Sipas tij, Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe është një nga vendet më të avancuara në negociatat e anëtarësimit me BE-në. Për këtë arsye, ai vlerësoi se Podgorica duhet të jetë shteti i ardhshëm që do t'i bashkohet familjes evropiane.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi kancelari gjerman, shkruan vijesti.me.

Merz rikujtoi se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar asnjë shtet të ri anëtar që nga viti 2013, kur Kroacia iu bashkua bllokut.

Ai tha se, megjithëse BE-ja vazhdimisht u bën thirrje vendeve evropiane të ndërmarrin reforma për të përmbushur Kriteret e Kopenhagës, është po aq e rëndësishme që edhe vetë Bashkimi Evropian të respektojë premtimet e tij ndaj vendeve që i plotësojnë këto standarde.

“Mali i Zi i përmbush këto kritere dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbajë fjalën e dhënë”, theksoi ai.

Deklarata e kancelarit gjerman konsiderohet një sinjal i fortë mbështetjeje për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi. Vendi hapi negociatat e anëtarësimit me BE-në në vitin 2012 dhe prej vitesh konsiderohet kandidati më i avancuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit.

Autoritetet malazeze kanë deklaruar vazhdimisht se synojnë të përmbyllin negociatat brenda viteve të ardhshme, me objektivin për t'u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian para përfundimit të dekadës. /Telegrafi/