Meriton Korenica pjesë e formacionit më të mirë të sezonit në Rumani
Reprezentuesi i Kosovës, Meriton Korenica, është përfshirë në formacionin më të mirë të sezonit në Rumani, një vlerësim i rëndësishëm që konfirmon paraqitjet e tij të nivelit të lartë gjatë edicionit të fundit.
Siç shihet edhe në postimin e publikuar nga faqja zyrtare, Korenica është renditur mes lojtarëve më të spikatur të kampionatit, duke u shpërblyer për ndikimin dhe vazhdimësinë që ka pasur gjatë gjithë sezonit.
27-vjeçari e ka mbyllur sezonin me 39 paraqitje në kampionat, ku ka realizuar nëntë gola dhe ka dhuruar katër asistime, statistika që e vendosin atë ndër futbollistët më produktivë në rolin e tij.
Korenica ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës së tij në Rumani, duke kontribuar jo vetëm me shifra, por edhe me punën pa top, presionin dhe kreativitetin në fazën ofensive, elemente që duket se kanë ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e tij në 11-shen e sezonit.
Ky vlerësim është gjithashtu një sinjal pozitiv edhe për Kombëtaren e Kosovës, duke pasur parasysh se Korenica po vjen nga një sezon i qëndrueshëm dhe me ritëm të lartë garash./Telegrafi/


