Please enter at least 3 characters.

Meloni: Shpresoj të nominojmë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se shpreson të mund ta nominojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe, për shkak të përpjekjeve të tij për të arritur paqen në Ukrainë.

“Shpresojmë që të mund ta ndajmë këtë çmim. Besoj se ai mund të bëjë ndryshimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, dhe atëherë edhe ne do të mund ta nominojmë përfundimisht Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe,” tha ajo gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në Romë.

Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Meloni theksoi se “dëshira për bashkëpunim mbetet e fortë”, duke shtuar se Italia dhe Gjermania janë “ndër vendet evropiane me marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-në, pjesërisht edhe për shkak të bazave ushtarake amerikane që ndodhen në territorin e tyre.”

Ajo shtoi se është e rëndësishme të mbahet një “qasje pragmatike, jo instinktive, ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, lideri amerikan ka shfaqur interes për të fituar Çmimin Nobel për Paqe për vite me radhë. Fituesja e vitit të kaluar, udhëheqësja opozitare venezueliane, María Corina Machado, së fundmi i dorëzoi atij në Shtëpinë e Bardhë medaljen e Çmimit Nobel për Paqe.

Edhe pse Machado ia dorëzoi Trumpit medaljen e artë që shoqëron çmimin, nderimi mbetet formalisht i saj. Instituti Norvegjez i Nobel-it bëri të ditur se çmimi nuk mund të transferohet, ndahet apo të tërhiqet. /Telegrafi/