“Medvegja që këndon” sjell në skenë trashëgiminë shqiptare të Luginës së Preshevës
Në Qendrën e Kulturës në Medvegjë u zhvillua një manifestim i veçantë kulturor që solli në skenë trashëgiminë e pasur shqiptare të Luginës së Preshevës.
Aktiviteti, i titulluar “Medvegja që këndon – Tradita që jeton!”, shndërroi hapësirën kulturore në një festë të identitetit, ritmeve dhe koloritit tradicional.
Në skenë u prezantuan këngë shqipe, valle popullore dhe elemente të veçanta të kulturës medvegjase, përfshirë veshjet tradicionale dhe krelanën karakteristike “dra”, duke sjellë me krenari shpirtin dhe historinë e kësaj treve.
Atmosfera u mbush me tinguj qiftelish, energji festive dhe emocion, ndërsa pjesëmarrësit dëshmuan se trashëgimia shqiptare në Medvegjë vazhdon të jetojë me forcë pavarësisht sfidave.
Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, tha se manifestimi kulturor i mbajtur në Qendrën e Kulturës ka sjellë në skenë shpirtin autokton të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me theks të veçantë tek tradita e Medvegjës.
Ngjarja u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në kuadër të projektit kulturor “Nëntor Luginë”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.
Organizatoret theksuan se qëllimi i aktivitetit është ruajtja dhe promovimi i identitetit kulturor shqiptar në Luginë, si dhe forcimi i prezencës kulturore në hapësirat ku ajo ka nevojë të dëgjohet më shumë./Telegrafi/


