Please enter at least 3 characters.

Me sa njerëz keni fjetur? Një studim i ri zbulon se çfarë e kaluara juaj seksuale zbulon për ju!

Kundër mendimit të përhapur, studimi nuk gjeti ndonjë ndryshim të rëndësishëm midis burrave dhe grave kur bëhet fjalë për vlerësimin e kaluarës seksuale të dikujt tjetër

Pyetja që shkakton shumëvështirësi te shumëkush – "Sa partnerë seksualë ke pasur deri më tani?" – është përsëri në qendër të vëmendjes falë një hulumtimi të ri që solli zbulime interesante, madje edhe paksa befasuese. Ndërsa shumica e njerëzve automatikisht supozojnë se një numër i madh partnerësh të mëparshëm ndikon negativisht në shanset për një marrëdhënie serioze, shkencëtarët e Universitetit të Swansea zbuluan se faktori kyç është krejtësisht i ndryshëm – konteksti kohor, shkruan Daily Mail.

Hulumtimi, i publikuar në revistën Scientific Reports, zbulon se numri i partnerëve seksualë nuk është aq vendimtar sa koha kur ato takime ndodhën. Me fjalë të tjera, dikush që ka pasur 12 partnerë dhjetë vjet më parë mund të perceptohet si partner më i dëshirueshëm afatgjatë sesa një person me të njëjtin numër, por me përvoja që ndodhën së fundmi.

"Studimet e mëparshme tregonin se njerëzit kanë prirje të shmangin marrëdhëniet serioze me persona që kanë pasur numër të madh partnerësh seksualë," shpjegon dr. Andrew G. Thomas, autori kryesor i studimit, "Por ky studim zbulon se ky efekt zbehet nëse shumica e atyre marrëdhënieve ndodhën në të kaluarën." Për qëllimet e hulumtimit, ekipi anketoi më shumë se 5000 njerëz nga 11 vende. Pjesëmarrësve iu shfaqën paraqitje vizuale – vija kohore që tregonin numrin dhe intervalin kohor të takimeve seksuale të partnerëve të mundshëm. Më pas u pyetën se sa të gatshëm ishin të hynin në një marrëdhënie serioze me një person të tillë, transmeton Telegrafi.

Rezultati? Njerëzit ishin më pak të gatshëm për një marrëdhënie me një person që kishte pasur shumë partnerë, por ishin ndjeshëm më të hapur nëse ato takime ishin larg në kohë dhe nëse ritmi i partnerëve të rinj me kalimin e viteve kishte ngadalësuar.

Kundër mendimit të përhapur, studimi nuk gjeti ndonjë ndryshim të rëndësishëm midis burrave dhe grave kur bëhet fjalë për vlerësimin e kaluarës seksuale të dikujt tjetër. "Rezultatet tregojnë mungesë të standardeve të dyfishta seksuale," thekson dr. Thomas, "Edhe burrat edhe gratë e shikojnë me sy të njëjtë historinë seksuale të partnerëve të mundshëm."

Këto rezultate vijnë si përgjigje ndaj dënimit dhe moralizimit gjithnjë e më të shpeshtë që mund të shihet në rrjetet sociale. "Diskutimet online shpesh janë shumë të ashpra kur flitet për jetën seksuale të dikujt tjetër, veçanërisht kur bëhet fjalë për gratë. Por në nivel individual, njerëzit janë në fakt shumë më tolerantë, veçanërisht kur shohin se sjellja e dikujt ka ndryshuar përgjatë viteve," përfundon dr. Thomas. Me fjalë të tjera, e kaluara juaj nuk ju përcakton – veçanërisht nëse keni treguar rritje, pjekuri dhe ndryshim. Dhe kjo është një mesazh që marrëdhëniet moderne me të vërtetë duhet ta marrin parasysh. /Telegrafi/