Më pak se 24 orë nga nisja e votimit, “flota” e materiale zgjedhore gati për shpërndarje në Bulqizë e Lezhë
Na ndajnë më pak se 24 orë nga nisja e votimit për Parlamentare 2025.
Komisioni i KZAZ me nr 18 në rrethin e Bulqizës ka nisur shpërndarjen e bazës materiale për procesin zgjedhor të 11 Majit, si kutitë me materiale zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga komisionet e qendrave te votimit, vulat me kodet e sigurisë e të tjerë.
Sipas kryetarit të KZAZ nr 18 të rrethit Bulqizë Kujtim Kërkurti, procesi i bazës materiale të zgjedhjeve të 11 Majit ka nisur pa probleme për 49 qendra të votimit që i përkasin rrethit të Bulqizës, ndërkohë ai u shpreh se janë plotësuar të gjithë dokumentacionet për komisionarët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 Majit.
Edhe në qarkun Lezhë ka filluar procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore tek KZAZ 13 aty ku do të merren materialet për njësitë administrative.
Top Channel raporton se e para po i merr njësia administrative Ungrej për shkak të largësisë me Lezhën.
KZAZ 12 ku është Shëngjini, Balldren dhe Lezhë pritet të fillojë rreth orës 14:00. Po ashtu dhe në Mirditë e Kurbin ende nuk ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore./tch/


