Më 18 gusht protestë kundër ndërtimit të kishës katolike, banorët paralajmërojnë bllokimin e rrugëve në Dumnicë e Samadrexhë
Banorët e Dumnicës së Epërme, Dumnicës së Poshtme, Dumnicës së Llugës, Zagorit dhe Samadrexhës kanë paralajmëruar protestë më 18 gusht, duke nisur nga ora 08:30.
Sipas organizatorëve, protesta do të shoqërohet me bllokimin e të gjitha rrugëve në Samadrexhë dhe në fshatrat e Dumnicës. Për protestën dhe bllokimin e paralajmëruar, organizatorët kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Banorët kundërshtojnë pretendimet për ndërtimin e një objekti të kishës katolike në Zagori. Ata shprehen kundër edhe ndërhyrjeve të mundshme për hapjen dhe rregullimin e rrugës drejt parcelës ku pretendohet se do të ndërtohet objekti.
Sipas organizatorëve, projekti ka motive politike dhe ideologjike.
Për zhvillimet e paralajmëruara pritet të reagojnë edhe institucionet kompetente. /Telegrafi/


