Mbi tri orë marshim me zhurmë molotovësh, kaos e rrëmujë në rrugët e Tiranës
Ka përfunduar pas 3 orësh protesta në formë marshimi e opozitës. Këtë herë, taktika e demokratëve ishte zjarrvënia te koshat e plehrave, shtuar elementin e përhershëm, molotovë që hidhen në mënyrë sporadike.
Vlen të theksohet se incidenti kryesor u shënua te vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, ku sipas raportimeve, në atë moment, brenda godinës ka pasur punonjës të huaj.
Me shumë mundësi, Policia do të hetojë rastin dhe do dalë me një njoftim zyrtar për këtë.
Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar sulmin si një akt terrori ndaj kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
Sipas tij, ky nuk është thjesht opozitarizëm, por një agresion i hapur ndaj një institucioni që përfaqëson lirinë e mendimit, artin dhe kreativitetin ndërkombëtar në vend.“
Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari!”, thotë Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, krahas fotove para dhe pas kësaj proteste.
Ministri thekson gjatë incidentit, brenda vilës ndodheshin 12 artistë. Shumica e tyre, të huaj dhe pjesë e programeve sociale dhe rezidencave artistike të ArtExplora, por fatmirësisht pa pasoja.
Ai paralajmëroi se shteti do të ndjekë penalisht përgjegjësit dhe nuk do të lejojë që dhuna politike të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë./Tv Klan


