Please enter at least 3 characters.

Mbi 5 mijë gjoba në Gjakovë brenda një muaji, policia sekuestron 92 motoçikleta

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar kontrollet në kuadër të planit operativ “Vera 2026 dhe Alkooli”, me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Sipas Policisë së Kosovës, kontrollet janë zhvilluar nga 17 korriku deri më 16 gusht 2026, nëpër rrugët e rajonit të Gjakovës, përmes angazhimit të Task Forcës dhe patrullave shtesë.

Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 5 mijë e 22 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

Policia ka marrë edhe masa të tjera ndaj pjesëmarrësve në trafik. 323 patentë-shoferë janë marrë si masë mbrojtëse, me ndalim të drejtimit të mjeteve motorike, ndërsa 92 motoçikleta janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme.

Pjesa më e madhe e gjobave është shqiptuar për tejkalim të kufizimit të shpejtësisë. Sipas policisë, janë evidentuar: 3,059 gjoba për tejkalim të shpejtësisë, 201 gjoba për drejtim të automjeteve me përqendrim të alkoolit mbi normën e lejuar, 145 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 107 gjoba për tejkalime të parregullta, 103 gjoba ndaj motoçiklistëve për mosvendosje të helmetës dhe kundërvajtje të tjera, 10 gjoba për gara të shpejtësisë.

Kontrollet policore janë fokusuar në kundërvajtjet që paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, përfshirë shpejtësinë, përdorimin e telefonit, tejkalimet e parregullta, drejtimin nën ndikimin e alkoolit, garat e shpejtësisë dhe shkeljet e kryera nga motoçiklistët.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe motoçikletave që të respektojnë rregullat e trafikut dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

“Respektimi i normave ligjore është i domosdoshëm për parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e sigurisë së të gjithë qytetarëve”, ka apeluar policia. /Telegrafi/