Mbesa e Trumpit zbulon se çfarë lloj gjyshi është ai: Ai është thjesht i zakonshëm, si të gjithë të tjerët
Kai Trump, mbesa 19-vjeçare e presidentit amerikan Donald Trump, ka rrëfyer së fundmi se si është gjyshi i saj në jetën e përditshme, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si shumë të thjeshtë dhe familjare.
Kai është vajza e madhe e Donald Trump Jr. dhe ish-bashkëshortes së tij, Vanessa, si dhe mbesa më e madhe e presidentit amerikan. Në një intervistë për NewsNation, në emisionin “Katie Pavlich Tonight”, ajo ka folur për raportin me gjyshin e saj.
“Ai është një gjysh krejt i zakonshëm. Edhe unë e thërras thjesht gjysh. Kur ulemi për darkë, bisedojmë si çdo familje tjetër”, ka treguar Kai.
Ajo ka shpjeguar se darkat me Trump janë shumë të relaksuara dhe se temat e bisedave nuk lidhen gjithmonë me politikën apo jetën publike.
“Është sikur të flasësh me gjyshin tënd ose me cilindo anëtar tjetër të familjes. Gjithçka është shumë e qetë. Flasim për golfin, sepse është diçka që e kemi të përbashkët, por edhe për shumë gjëra të tjera. Atij i pëlqen sporti, mua më pëlqen sporti. Është thjesht një darkë normale familjare me gjyshin”, ka thënë ajo.
Kai ka treguar gjithashtu se ajo dhe gjyshi i saj ndajnë pasionin për golfin, ndërsa Trump ka luajtur edhe një rol në përmirësimin e saj si golfiste.
“Ai është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë ajo, duke shtuar me humor se gjyshi i saj nuk e humb mundësinë për ta sfiduar.
“Edhe kur luajmë në të njëjtin ekip, ai përpiqet të më shpërqendrojë”, ka rrëfyer Kai.
Sipas saj, këto sfida e kanë ndihmuar të mësojë se si të ruajë përqendrimin dhe të mos shpërqendrohet edhe në situata me presion.
Kai pritet së shpejti të nisë studimet në Universitetin e Miamit, ku do të luajë golf në ekipin universitar.
Megjithatë, të qenit mbesa e presidentit amerikan ka edhe anët e saj më pak të zakonshme. Kai shoqërohet shpesh nga truproja të armatosur, veçanërisht në daljet publike.
Për këtë realitet ajo kishte folur edhe në janar të këtij viti, gjatë një paraqitjeje në podcastin “Impaulsive” të Logan Paul.
“Është pak e çuditshme. Përpiqem të mos e lejoj që të më rëndojë. Sidomos gjatë vitit të fundit, që kur ai u bë sërish president, më është dashur të mësoj ta injoroj faktin se jam e shoqëruar nga truproja”, kishte deklaruar ajo.
Kai ka treguar se, megjithëse prania e tyre është e dukshme, me kalimin e kohës ka mësuar të mos përqendrohet tek kjo pjesë e jetës së saj.
“Është e qartë që ata janë aty, por nëse nuk përqendrohesh te kjo dhe përpiqesh të shijosh kohën me miqtë ose familjen, gjithçka bëhet shumë më e lehtë”, është shprehur ajo.
Kai ka folur publikisht për marrëdhënien me gjyshin e saj edhe në vitin 2024. Gjatë Konventës Kombëtare Republikane, ajo mbështeti kandidaturën e Trump për president dhe e cilësoi atë si një “frymëzim”. /Telegrafi/


