Martohet vajza e Bekim Jasharit
Bekim Jashari ka ndarë një mesazh të ndjerë me rastin e një dite të veçantë për familjen e tij.
Vajza e tij, Feride Jashari, ka kurorëzuar dashurinë me Orgesin, derisa ka zgjedhur ta urojë çiftin përmes një postimi të gjatë dhe emocional në Facebook.
Në urimin e tij, Jashari është kthyer pas në historinë e familjes, duke kujtuar periudhën e vështirë të luftës në Kosovë dhe humbjet e mëdha që kishte përjetuar familja e tij.
Ai ka treguar se nga 30 anëtarë të familjes kishin mbetur vetëm 10, ndonëse lufta për ta ishte jo vetëm një përpjekje për lirinë e Kosovës, por edhe për mbijetesën dhe vazhdimësinë e familjes.
Jashari ka kujtuar edhe ardhjen në jetë të Ferides në qershor të vitit 2000, të cilën familja e pagëzoi me emrin e nënës së tij.
Ai e përshkruan vajzën si fëmijën e parë të familjes pas luftës dhe si simbol të një kapitulli të ri, të mbushur me gëzim dhe shpresë.
Sot, Feride është arkitekte dhe, siç shprehet babai i saj, mbi të gjitha mbetet vajza e dashur dhe e pazëvendësueshme e familjes.
Në fund të mesazhit, Bekim Jashari i ka uruar Ferides dhe Orgesit një jetë të gjatë, shëndet, dashuri dhe lumturi.
“Urime martesa vajza jonë, shpirti ynë i lindur nga liria dhe rritur me dashurinë e një familjeje që dëshmoi se jeta është më e fortë se vdekja dhe dashuria më e fuqishme se dhimbja”, ka shkruar ai, duke e mbyllur urimin me fjalët: “Të duam shumë, vajza jonë! Qofshi përherë të lumtur, Feride dhe Orges". /Telegrafi/


