Please enter at least 3 characters.

Marrëdhëniet e tendosura Kosovë-Maqedoni - Kush e vrau Reciprocitetin?

Në kohën kur Republika e Kosovës po konstituonte institucionet e saja demokratike, shtetin ligjor dhe sundimin e së drejtës të paktën në kuptim formal, Republika e Maqedonisë përgatitej për vendosjen e kushteve shtesë për hyrjen e qytetarëve tanë në territorin e këtij shteti.

Nuk kaloj shumë kohë nga shpallja e pavarësisë dhe ky shtet fqinjë i Kosovës e obligoj Republikën tanë të re që për qytetarët e saj, të cilët janë të pajisur me pasaporta qoftë të UNMIK-ut qoftë të shtetit të ri, të pajisen me “sigurim shëndetësor” nëse dëshirojnë të hyjnë në Republikën e Maqedonisë. Sa për kuriozitet, Maqedonia nuk aplikon masë të tillë ndaj asnjë shteti tjetër!

Përderisa qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi as nuk u vulosen pasaportat gjatë hyrjes së pikat kufitare të Kosovës, qytetarët kosovar përveç që duhet të legjitimohen (në disa raste në procedura mjaft të gjata e të mundimshme) gjatë hyrjes në territorin e Republikës Maqedonisë, ne duhet të pajisemi me dokument të posaçëm, i cili është i ngjashëm me leje qëndrimi, nëse dëshirojmë të qëndrojmë në territorin e saj më shumë se 72 orë (3 ditë të plota). Sa i përket kësaj mase, vlen reciprociteti ndaj qytetarëve të Maqedonisë në Kosovë, mirëpo kohëzgjatja është 2,160 orë (pra, 90 ditë)!

Tërë këto veprime, të cilat bien ndesh me parimin e njohur nga e drejta ndërkombëtare – parimin e reciprocitetit, u pranuan në heshtje nga institucionet e Republikës së Kosovës, eprorët e të cilëve hasin në të njëjtat probleme gjatë hyrjes në Republikën e Maqedonisë. Për të mos krijuar konfuzitet, le të përkujtojmë se masat e reciprocitetit janë veprime konkrete të cilat ndërmerren nga një qeveri e një shteti sovran me qëllim të krijimit të ekuivalencës të të drejtave të shtetasve të huaj në territorin e shtetit të vendit në masën që shteti konkret i huaj i aplikon të njëjtat ndaj shtetasve të shtetit të vendit në territorin e tij. Pra, thënë shkurt, çka vlen për qytetarët e Kosovës në Maqedoni, duhet të vlejë edhe për qytetarët e Maqedonisë në Kosovë.

Në rast se krijohet një disbalancë mes të lartpërmendurave, e drejta dhe praktika ndërkombëtare njeh aplikimin e masës së retorzionit, pra një kundërmasë ligjore, me anë të së cilës shteti i vendit, shtetasve të cilit u cenohet ose u ngushtohet aplikimi i një të drejte ligjore në shtetin e huaj, shtetasve të atij shteti t’u ndodh e njëjta në territorin e shtetit të vendit.

Mirëpo aplikimi i retorzionit në marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni tani më konsiderohet i pa realizueshëm në praktikë, jo për shkakun se qeveria e Kosovës nuk është e aftë të bëjë një gjë të tillë, por për faktin se ajo në heshtje, pranoj të gjitha veprimet e shtetit fqinjë të cilat ndodhën prej shpalljes së pavarësisë deri më sot. Veprimi i parë konkret i ndërmarr nga Presidenti i Republikës së Kosovës, i cili ishte në frymë të një “mini-kërcnimi”, pra anulimi i vizitës në Maqedoni, u komentua nga Kryeministri i Maqedonisë si “tentativë për mbledhje të poenëve të brendshëm politik” përkundër faktit se ky ishte veprimi më i qëlluar diplomatik i ndërmarr nga Presidenti.

Reagime nga Presidenca nuk hasëm pas kësaj deklarate, mirëpo filluan të vijnë “përshëndetje” nga zyrtarët e Unionit Evropian, të cilët po kërkojnë “normalizim” të raporteve Kosovë-Maqedoni. A thua do të kërkohej një normalizim raportesh nëse në ceremoninë inauguruese të Presidentit Ivanov nuk do të ftohej Shkëlqesia e Tij, Z. Ervan Fuere, Ambasador i Unionit Evropian në Maqedoni?

Dhe në fund, a nuk është Republika e Kosovës, njëri ndër shtetet e pakët ballkanik të cilët asnjëherë nuk e kontestuan emrin e Maqedonisë? Përderisa ne nënshkruajmë marrëveshje ndërshtetërore (po i referohem marrëveshjeve për demarkacion kufitar) duke ju referuar këtij shteti si Republika e Maqedonisë, në të njëjtën kohë Greqia nuk e pranon një emër të tillë kushtetues, Bullgaria nuk pranon ekzistimin e gjuhës e me të edhe kulturës Maqedonase dhe Kisha Ortodokse Serbe nuk pranon ekzistimin e një Kishe Autoqefale Ortodokse Maqedonase! Kush e vrau Reciprocitetin?

(Autori është absolvent i Fakulteti të Drejtësisë në Universitetin e Evropës Juglindore)