Maqedoni, shqiptarët rreth 40 përqind! (Foto)
Numrat e nxënësve të shkollave fillore zbulojnë se në Maqedoni janë të manipuluara përqindjet e popullsisë, konkretisht tregojnë se shqiptarët janë 13 për qind më shumë se sa llogaritet numri i tyre, kurse i maqedonasve – 16 për qind më pak, Në kategorinë e nxënësve maqedonas, ku hyjnë edhe romët, boshnjakët, vllahët, kroatët e të tjerët, janë 104.204 nxënës nga 190.541 gjithsej. Pra, jo më shumë se 54.7 për qind edhe atë bashkë me të tjerët (të cilët përbëjnë 5.3 për qind të popullatës). Ndërkaq, në kategorinë e nxënësve shqiptarët janë 62.188 nxënës, apo 32.6 për qind e numrit të përgjithshëm, njofton gazeta KOHA.
Të konsideruara prej kohësh si pasqyra më reale e mozaikut etnik të shtetit, shkollat fillore pa ndonjë mundim të madh janë në gjendje të zbulojnë tablonë më reale të përqindjeve të ndryshme etnike në Maqedoni. Siguria më e madhe për këtë qëndron në prirjen shumë të natyrshme të nxënësve që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, sidomos kur është në pyetje shkollimi në nivelin e arsimit fillor – edhe pse sikurse tregojnë numrat e nxënësve nëpër paralele, ka përjashtime nga ky përkufizim. Të paktën në vitin shkollor 2013/2014 janë mbi 1200 shqiptarë dhe mbi 2800 turq, të cilët mësojnë në paralelet maqedonase, ashtu sikurse ka 45 maqedonas të cilët mësojnë në gjuhën serbe, apo 184 shqiptarë që mësojnë në gjuhën turke. Sidoqoftë, këto numra edhe pse jo pa ndikim në përqindjet e nxënësve sipas etnitetit, janë të papërfillshme nëse krahasojmë dallimet që ekzistojnë mes përqindjeve etnike të nxënësve nëpër shkolla dhe përqindjeve që zyrtarisht përdoren për të treguar konfigurimin demografik të Maqedonisë, respektivisht popullsisë që jeton këtu.
Dominimi Arsimi në nivelin fillor, sikurse tregojnë të dhënat për numrin e nxënësve dhe paraleleve, zhvillohet në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Në paralelet maqedonase, me 122.929 nxënës, përveç maqedonasve dhe të tjerëve (104.209) ka edhe nxënës shqiptarë (1217) dhe turq (2811). Në paralelet shqipe me 61.298 nxënës, përveç shqiptarëve (60.787) ka edhe turq (81). Në paralelet turke me 5821 nxënës, përveç turqve (5630) ka edhe shqiptarë (184). Në paralelet serbe me 493 nxënës, përveç serbëve (448) ka edhe maqedonas (45 nxënës). Në shkolla mësohet edhe gjuha boshnjake, por si lëndë fakultative edhe atë në dy shkolla dy gjuhësore (maqedonisht dhe boshnjakisht) dhe në pesë shkolla tre gjuhësore (maqedonisht, shqip dhe boshnjakisht). E parë edhe në këtë prizëm, pra të ndarjes së shkollave sipas gjuhëve në të cilat zhvillohet mësim – janë përsëri maqedonasit, respektivisht maqedonishtja që dominon arsimin fillor. Maqedonishtja shtrihet në 81.1 për qind të shkollave të Maqedonisë edhe atë nga 346 shkolla gjithsej – në 187 mësohet vetëm në maqedonisht, në 54 edhe maqedonisht edhe shqip, në 21 edhe maqedonisht edhe turqisht, në 2 edhe maqedonisht edhe serbisht, në 2 të tjera maqedonisht dhe boshnjakisht, kurse në 17 në maqedonisht dhe dy gjuhë të ndryshme. Maqedonishtja dhe paralelet maqedonase janë gjithë andej, ndërsa me numër dhe përqindje nxënësish janë shumë larg prezencës reale të tyre. Numri i nxënësve sipas përkatësisë etnike në njërën anë dhe në anën tjetër numri i paraleleve dhe numri i shkollave, janë treguesi më i mirë i kësaj. Madje, edhe sipas numrit të popullsisë janë shumë më pak se përqindja e shkollave ku mësohet maqedonisht në një, dy apo tre gjuhë. Nuk ndodh kështu me shqiptarët, të cilët edhe pse kanë 32.6 për qind të numrit të nxënësve, janë të përfshirë në vetëm 38 për qind të shkollave. Pra, shqip mësohet në 58 shkolla, në 54 shqip dhe maqedonisht, në 3 shkolla shqip dhe turqisht dhe në 17 shkolla shqip dhe dy gjuhë të tjera. Vetëm në një gjuhë, krahas 187 dhe 58 në maqedonisht dhe shqip, mësohet gjithashtu edhe në gjashtë shkolla të tjera, gjegjësisht në nga dy në turqisht, serbisht dhe boshnjakisht./Telegrafi/


