Maqedonci merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve ushtarakë në Turqi
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Akademisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, e organizuar me rastin e shënimit të Ditës së Fitores së Turqisë.
Gjatë ceremonisë, Maqedonci është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler. Ai u ka uruar të dy zyrtarëve Ditën e Fitores së Republikës së Turqisë.
Një nga momentet e veçanta të ceremonisë ishte diplomimi i pesë kadetëve nga Kosova, të cilët përfunduan me sukses studimet e tyre ushtarake.
Maqedonci i ka përgëzuar kadetët për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e treguar gjatë studimeve, duke u uruar karrierë të suksesshme në shërbim të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë është i rëndësishëm, ndërsa mbështetja në edukimin, trajnimin dhe përgatitjen profesionale të kuadrove të reja ushtarake përbën një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi. /Telegrafi/


