“Manipulimi me votat”, avokati Gjini konfirmon lirimin e Bislimajt pas ndalimit
Avokati Gent Gjini ka bërë të ditur se komisionerja Blerta Bislimaj, e cila ishte ndaluar me urdhër të prokurorit për një periudhë prej 48 orësh nën dyshimet për veprën penale “manipulim me vota”, është liruar nga masa e ndalimit.
Gjini tha se, ndërkohë, ndaj 23 komisionerëve të tjerë është caktuar masa e paraburgimit.
Ai theksoi se në këtë fazë nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes dhe detaje të procedurës hetimore, por kërkoi që hetimet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje me ligjin, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Komisionerja klientja ime Blerta Bislimaj eshte liruar nga masa e ndalimit ne periudhe prej 48 oreve e cila ka qenë e ndaluar me urdhër të prokurorit për veprën penale manipulim me vota e ndërsa 23 komsionerëve tjerë ju është caktu masa e paraburgimit", tha ai për KP.
Të premten, Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 persona nën dyshimin për manipulim me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit, lidhur me veprat penale të falsifikimit të dokumenteve zgjedhore, kërcënimit dhe ryshfetit.


