Please enter at least 3 characters.

Man Utd merr vendimin e prerë: Rashford mund të largohet, por jo te këto gjashtë klube

Bashkëpronari i Manchester Unitedit, Sir Jim Ratcliffe, raportohet se ka marrë një qëndrim të prerë sa i përket të ardhmes së Marcus Rashfordit, duke bllokuar çdo mundësi që sulmuesi anglez të transferohet te një rival direkt në Ligën Premier.

Pavarësisht dëshirës së Rashfordit për t’u larguar nga “Old Trafford”, drejtuesit e klubit nuk duan të rrezikojnë që një prej produkteve të akademisë së tyre të shkëlqejë te një rival i drejtpërdrejtë.

Sipas The Mirror, Ratcliffe ka ndërhyrë personalisht për të parandaluar transferimin e Rashfordit te një klub tjetër anglez gjatë kësaj vere.

Sulmuesi 28-vjeçar është rikthyer në Carrington për përgatitjet parasezonale, pas periudhës së kaluar në huazim te Barcelona, por e ardhmja e tij afatgjatë te Manchester Unitedi vazhdon të jetë tejet e pasigurt.

Ratcliffe thuhet se dëshiron ta largojë Rashfordin nga lista e pagave të klubit, por nuk ka ndërmend ta forcojë një rival të drejtpërdrejtë duke e lejuar të transferohet te skuadra si Arsenali, Manchester City apo Liverpooli.

Kufizimet nuk vlejnë vetëm për transferimin e përhershëm. Raportohet se Ratcliffe ka refuzuar gjithashtu interesimet për huazimin e Rashfordit nga Chelsea, Aston Villa dhe Tottenham Hotspur.

Frika kryesore në drejtuesit e Manchester Unitedit është se Rashford mund të bëhet një futbollist vendimtar për një rival në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Një skenar i tillë do të konsiderohej si “i turpshëm” nga drejtuesit e klubit.

Rashford e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Barcelona, ku arriti të rikthejë një pjesë të formës së tij më të mirë.

Në 49 paraqitje, anglezi realizoi 14 gola dhe 14 asistime, duke lënë përshtypje të mira gjatë aventurës së tij në La Liga.

Megjithatë, Barcelona vendosi të mos e transferojë përfundimisht Rashfordin. Në vend të aktivizimit të opsionit të blerjes prej 30 milionë eurosh, katalunasit shpenzuan 80 milionë euro për të transferuar anësorin e Neëcastle Unitedit, Anthony Gordon./Telegrafi/